• e premte, 05 dhjetor 2025

KE: Putini mund të udhëtojë në Budapest pavarësisht sanksioneve dhe urdhër-arrestit

KE: Putini mund të udhëtojë në Budapest pavarësisht sanksioneve dhe urdhër-arrestit

Bruksel, 18 tetor 2025 (MIA) - Komisioni Evropian ka thënë se çdo takim i mundshëm midis presidentit amerikan Donald Tramp dhe presidentit rus Vladimir Putin do të ishte i mirëpritur nëse do të kontribuonte në arritjen e "paqes së drejtë dhe të qëndrueshme" në Ukrainë, publikoi Anadolia.

Duke folur në konferencë për media, zëdhënësi i Komisionit Evropian Olof Gil tha se "Presidentja (Ursula) fon der Lajen mirëpret çdo hap që çon në paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën. Nëse takimi i propozuar për të cilin po flisni i shërben këtij qëllimi, ne do ta mirëpresim atë", deklaroi ai.

Gil theksoi se qëndrimi i Bashkimit Evropian ndaj Ukrainës është "shumëvjeçar dhe i njohur mirë" dhe se "është koha që Rusia t'i japë fund luftës së saj të pakuptimtë dhe të paligjshme dhe agresionit kundër Ukrainës".

Ai shtoi se megjithëse detajet e takimit të propozuar nuk janë konfirmuar ende, Komisioni Evropian do ta konsideronte atë pozitiv "nëse do të kontribuonte në përparimin drejt arritjes së paqes".

Kur u pyet nëse fon der Lajen kishte pasur kontakte me Trampin për këtë çështje, Gil tha se nuk mund ta konfirmonte atë, por shtoi se kryetari i komisionit "është në kontakt të rregullt me të gjithë udhëheqësit si pjesë e përpjekjeve tona të palëkundura për të arritur paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në Ukrainë".

Një zëdhënëse tjetër e Komisionit, Anita Hiper, theksoi se BE vazhdon të mbështesë të gjitha përpjekjet për paqe: "Ne mbështesim paqen. Ne e mbështesim Presidentin Tramp në përpjekjet e tij; ne duam që ai të ketë sukses. Në këtë kontekst, ne duam të rrisim më tej presionin ndaj Rusisë".

Ajo shtoi se ky presion do të pasqyrohet edhe në paketën tjetër të 19-të të sanksioneve kundër Moskës.

Kur u pyet nëse Putini mund të udhëtonte në takim të mundshëm, Hiperi sqaroi se presidenti rus dhe ministri i Jashtëm Sergej Lavrov janë lëndë e sanksioneve për ngrirjen e mjeteve, por "nuk mbulohen në mënyrë specifike nga ndalimi i udhëtimit."

Të enjten, presidentët rusë dhe amerikanë zhvilluan atë që këshilltari i Kremlinit Jurij Ushakov e përshkroi si bisedë telefonike "shumë thelbësore, por edhe jashtëzakonisht e sinqertë dhe konfidenciale" që zgjati pothuajse dy orë e gjysmë.

Ushakovi tha se Putini dhe Trampi diskutuan mundësinë e mbajtjes së edhe një takimi ballë për ballë dhe ranë dakord që përfaqësuesit e të dyja palëve duhet të fillojnë menjëherë përgatitjet për samitin dhe Budapesti përmendet si një mikpritës i mundshëm. Të dy udhëheqësit u takuan për herë të fundit më 15 gusht në shtetin amerikan të Alaskës.

Ndërkohë, zëdhënësi Anuar El Anuini vërtetoi mbështetjen e BE-së për Gjykatën Penale Ndërkombëtare (GJPN), për çështjet e detyrimeve të Hungarisë ndaj gjykatës në kontekstin e vendimit të saj për t'u tërhequr nga Statuti i Romës.

Hungaria njoftoi tërheqjen e saj nga GJPN-ja më 3 prill, menjëherë pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu mbërriti në Budapest, ndërsa në maj Parlamenti hungarez miratoi ligj që nis procesin njëvjeçar të tërheqjes.

GJNP-ja lëshoi urdhër arresti për Vladimir Putin në mars të vitit 2023 si pjesë e hetimit të tij për krimet e luftës në Ukrainë. 

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR