KE nuk i komenton deklaratat kontradiktore nga Sofja rreth incidentit me aeroplanin e Fon der Lajen
- Kontrolli bullgar i trafikut ajror konfirmoi se ka pasur radio pengesa në aeroplanin me të cilin kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, të dielën mbërriti në Plovdiv, deklaroi sot zëvendës-zëdhënësja kryesore e KE-së, Ariana Podesta.
- Post By Qefsere Abduli
- 16:17, 4 shtator, 2025
Bruksel, 4 shtator 2025 (MIA) - Kontrolli bullgar i trafikut ajror konfirmoi se ka pasur radio pengesa në aeroplanin me të cilin kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, të dielën mbërriti në Plovdiv, deklaroi sot zëvendës-zëdhënësja kryesore e KE-së, Ariana Podesta.
Deklarata e Podestës ishte përgjigje e pyetjes së gazetarëve për komentin e Komisionit Evropian mbi deklaratën e zv/kryeministrit dhe ministrit bullgar për Transport dhe Lidhje, Grozdan Karadjov, i cili tha se “nuk ka asnjë provë që konfirmojnë informacionet për ndërprerjen e sinjalit GPS që ka ndikuar në fluturimin” e aeroplanit.
"Nuk do të komentojmë deklarata dhe informacione të mediave. Në kumtesën për shtyp të autoriteteve bullgare nga e diela thuhet se gjatë fluturimit të kryetares së Komisionit Evropian drejt Plovdivit, sinjali satelitor që siguron të dhënat për sistemin GPS të aeroplanit u ndërpre ndërsa ai po afrohej në aeroport. Kontrolli i trafikut ajror menjëherë mori masa për një qasje alternative për ulje, duke përdorur sistemet e navigimit tokësor", theksoi Podesta, duke cituar një pjesë nga komunikata.
Lidhur me deklaratën e kryeministrit bullgar, Rosen Zhelazkov se Bullgaria nuk do të kryej hetim shtesë për rastin, Podesta theksoi se mbetet në dorën e autoriteteve në Sofje të vendosin se si do të veprojnë lidhur me ngjarjen, duke shtuar se Komisioni Evropian nuk ka kompetenca të tilla.
Podesta gjithashtu theksoi se ky nuk është një incident i izoluar, pasi ka pasur ngjarje të ngjashme në fluturime pranë kufirit lindor të BE-së, duke theksuar se edhe në komunikatën e autoriteteve bullgare thuhet se "që nga fillimi i konflikteve në Ukrainë në vitin 2022 ka pasur një rritje të numrit të ndërprerjeve të sinjalit GPS” në trafikun ajror.
Sipas saj, ky nuk është rast vetëm në Bullgari, por edhe në shumë vende të tjera anëtare të BE-së, që kërkon veprime në nivel evropian për të siguruar fluturime të sigurta. qa/
Foto: Printskrin