KE në përgjigje të Trampit: Në mënyrë aktive po punojmë për të hequr gradualisht lëndët fosile djegëse ruse
- BE-ja po punon në heqjen graduale nga lëndët fosile djegëse ruse dhe atë e bën në mënyrë aktive tashmë disa vite nga fillimi i luftës në Ukrainë, me një plan shumë të qartë, deklaroi sot zëdhënësja kryesore e Komisionit Evropian, Paula Pinjo, në një koment në kërkesë të presidentit amerikan Donald Tram që Evropa të ndalojë blerjen e naftës nga Rusia.
- Post By Sara Ademi
- 15:39, 15 shtator, 2025
Bruksel, 15 shtator 2025 (MIA) - BE-ja po punon në heqjen graduale nga lëndët fosile djegëse ruse dhe atë e bën në mënyrë aktive tashmë disa vite nga fillimi i luftës në Ukrainë, me një plan shumë të qartë, deklaroi sot zëdhënësja kryesore e Komisionit Evropian, Paula Pinjo, në një koment në kërkesë të presidentit amerikan Donald Tram që Evropa të ndalojë blerjen e naftës nga Rusia.
"Tani madje kemi edhe një propozim të qartë ligjor për heqje dorë në mënyrë graduale edhe nga karburantet tjera. Me një numër të madh sanksionesh kjo në fakt është bërë tashmë, veçanërisht me ndalesën e plotë për furnizimin e qymyrit dhe produkteve tjera të energjensave. Ne jemi aktivë në atë fushë dhe kemi një plan shumë të qartë se si ta bëjmë atë, me një afat të qartë", shtoi Pinjo.
Trampi dje tha se është i gatshëm të vendosë sanksione të përforcuara ndaj Rusisë, por se edhe Evropa duhet të veprojë në një mënyrë që është ekuivalente me atë që e bën Uashingtoni.
"Evropa blen naftë nga Rusia. Nuk dëshiroj që ata të blejnë naftë, ndërsa edhe sanksionet që i vendosin nuk janë mjaft të ashpra. Unë jam i gatshëm trë vendos sanksione, por ata duhet t'i ashpërsojnë sanksionet e tyre në mënyrë adekuate me atë që e bëj unë", tha Trampi.
Zëvendës zëdhënësi kryesor i KE-së, Olof Gil, nga ana e tij, tha se Komisioni nuk do t'i komentojë deklaratat e Trampit, as nuk do të japë detaje për pakon e 19-të të sanksioneve ndaj Rusisë në të cilat punon për momentin.
Gil shtoi se BE-ja është e vetëdijshme, ndërsa atë e ka konfirmuar edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen javën e kaluar, se mundet dhe duhet të bëhet më shumë në lidhje me sanksionet ndaj Rusisë.
"Prandaj së shpejti do të dalim me një pako të re që do të përfshijë masa ende më të forta për ta goditur ekonominë ruse atje ku i dhemb. Kaq do të themi për këtë. Jemi të kënaqur me atë që po bëjmë nga ana jonë dhe po punojmë me partnerët tanë globalë", përfshirë SHBA-në, për të provuar të koordinohemi sa më efektivisht të jetë e mundur", tha Gill.
Ai shprehu shpresën se partnerët e BE-së do të bashkojnë përpjekjet e saj për të "ushtruar presion maksimal mbi ekonominë ruse" me qëllim që të përfundojë agresioni i Rusisë kundër Ukrainës sa më shpejt të jetë e mundur. sa/
Foto: MIA