• e shtunë, 06 dhjetor 2025

KE: BE-ja po i afrohet objektivit klimatik për vitin 2030

KE: BE-ja po i afrohet objektivit klimatik për vitin 2030

Bruksel, 28 maj 2025 (MIA) - Vendet e Bashkimit Evropian janë në rrugë të mirë për të ulur emetimet e gazrave serrë me 54 për qind deri në vitin 2030, duke iu afruar objektivit të BE-së prej 55 për qind, njoftoi sot Komisioni Evropian. 

Vlerësimi bazohet në planet kombëtare për klimën dhe energjinë, në të cilat shtetet anëtare duhet të shpjegojnë në detaje se si planifikojnë të arrijnë objektivin afatgjatë të bllokut për neutralitet klimatik deri në vitin 2050, dhe t'i ulin emetimet për më shumë se gjysmën deri në vitin 2030 në krahasim me nivelet e vitit 1990, raportoi DPA. 

Komisioni u bëri thirrje vendeve anëtare të qëndrojnë në rrugën e caktuar dhe të zbatojnë plotësisht planet e tyre.

"Emetimet nga viti 1990 janë ulur për 37 për qind, ndërsa ekonomia është rritur për gati 70 për qind - duke dëshmuar se veprimi klimatik dhe rritja ekonomike shkojnë dorë për dore", tha komisari i BE-së për klimë, Vopke Hoekstra. 

"Tani duhet të ndërtojmë në bazë të këtij momenti", theksoi ai. 

"Investimi në teknologji të pastra dhe inovacione është thelbësor për konkurrencën industriale dhe hap tregje të reja për kompanitë evropiane. Përkushtimi ynë për një tranzicion të pastër u jep qartësi investitorëve dhe përforcon qëndrueshmërinë dhe prosperitetin e Evropës", tha Hoekstra. 

Ai theksoi se tani është momenti vendimtar dhe se çdo sektor në çdo vend anëtar duhet të kontribuojë për realizimin e këtij objektivi. qa/bsh/

Foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR