KE: Bastisja në banesën e Jermakut tregon se autoritetet ukrainase kundër korrupsionit po punojnë
- Zëdhënësja kryesore e Komisionit Evropian, Paula Pinjo, sot deklaroi se kontrolli i banesës së shefit të kabinetit të presidentit ukrainas, Andrij Jermak, "tregon se autoritetet antikorrupsion në Ukrainë po bëjnë punën e tyre", raporton gazeta britanike "Gardian".
- Post By Ajrije Rexhepi
- 15:19, 28 nëntor, 2025
Bruksel, 28 nëntor 2025 (MIA) - Zëdhënësja kryesore e Komisionit Evropian, Paula Pinjo, sot deklaroi se kontrolli i banesës së shefit të kabinetit të presidentit ukrainas, Andrij Jermak, "tregon se autoritetet antikorrupsion në Ukrainë po bëjnë punën e tyre", raporton gazeta britanike "Gardian".
Zëdhënësja e KE-së, Pinjo, theksoi se hetimi është ende duke vazhduar.
Zëdhënësi për zgjerim, Gijom Mersie, komentoi me një ton të ngjashëm, duke thënë se kontrolli dhe hetimi "tregojnë se autoritetet kundër korrupsion ekzistojnë dhe lejohen të funksionojnë".
"Më lejoni të theksoj se lufta kundër korrupsionit është një element kyç për një vend që të anëtarësohet në BE dhe kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe një kapacitet të fortë për luftë kundër korrupsionit. Ky është një element kyç që e trajtuam edhe në raportin tonë për zgjerim të publikuar disa javë më parë, kështu që do të vazhdojmë me kujdes ta monitorojmë situatën", tha Mersie.
Prokuroria Speciale e Ukrainës për Luftë Kundër Korrupsionit dhe Byroja Kombëtare Kundër Korrupsionit njoftuan sot se po kontrollojnë banesën e Andrij Jermakut, shef i kabinetit të presidentit ukrainas, pa dhënë detaje për hetimin në kuadër të të cilit po zbatohet bastisja.
Jermaku konfirmoi në rrjetin social Telegram se autoritetet kanë "qasje të plotë" në banesën e tij, se ai po bashkëpunon me nëpunës nga institucionet kundër korrupsionit dhe se avokatët e tij janë të pranishëm.
Foto: Qeveria e Ukrainës