• e premte, 05 dhjetor 2025

KB-ja paralajmëron katastrofë në Mjanmar: Uria kërcënon dhjetëra mijëra njerëz të shpërngulur

KB-ja paralajmëron katastrofë në Mjanmar: Uria kërcënon dhjetëra mijëra njerëz të shpërngulur

Nju Jork, 15 gusht 2025 (MIA) - Kombet e Bashkuara paralajmëruan një "katastrofë të plotë" në shtetin Rakajn në Mjanmar, duke bërë thirrje për donacione ndërkombëtare urgjente për të parandaluar urinë mes dhjetëra mijëra personave të shpërngulur, përfshirë edhe komunitetin musliman të pakicës Rohinxhi.

Programi Botëror i Ushqimit (WFP) njoftoi se për shkak të rritjes së madhe të papritur të numrit të personave të shpërngulur, nuk mund të sigurojë ndihmë për më shumë se 20% të njerëzve që përballen me mungesë të rëndë ushqimi, raporton Bi-Bi-Si. Sipas të dhënave të agjencisë, këtë vit është vërejtur rënie e financimit global nën 60 për qind në krahasim me vitin 2024. 

Gjendja në Rakajn është përkeqësuar edhe më tej për shkak të bllokadës ushtarake të vendosur nga ushtria e Mjanmarit në vitin 2023, me qëllim ndërprejren e furnizimit të Armatës Arkan. Qyteti Stive është nën rrethim dhe mund të arrihet vetëm përmes rrugëve detare ose ajrore. Organizatat humanitare nuk kanë qasje në shumicën e territoreve nën kontrollin e Armatës Arkan. 

Kombet e Bashkuara raportojnë se familjet në Rakajn janë të detyruara të mbijetojnë duke ngrënë rrënjë, ndërsa janë regjistruar raste të shtuar të borxheve, lypjes, dhunës familjare, braktisjes së shkollave dhe tregtisë me njerëz. Në mars, WFP ishte e detyruar të zvogëlojë ndihmën për Rakajnin, edhe pse numri i personave të rrezikuar është rritur ndjeshëm. Problemet financiare të WFP-së janë pjesërisht rezultat i uljes së financimit nga SHBA-të, të cilat vitin e kaluar siguruan pothuajse gjysmën e buxhetit total të programit. Administrata e presidentit amerikan Donald Tramp e uli financimin për USAID-in për 87 për qind, gjë që përkeqësoi edhe më tej situatën. qa/

Foto: Arkivi i EPA-s

QËNDRONI TË LIDHUR