KB-ja kërkon 47 miliard dollarë ndihmë në vitin 2025
- KB-ja sot apeloi për më shumë se 47 miliard dollarë për ndihmë jetike vitin e ardhshëm, duke paralajmëruar se konfliktet në rritje dhe kriza klimatike do t'i lënë miliona njerëz të pambrojtur.
- Post By Qefsere Abduli
- 08:33, 4 dhjetor, 2024
Gjenevë, 4 dhjetor 2024 (MIA) - KB-ja sot apeloi për më shumë se 47 miliard dollarë për ndihmë jetike vitin e ardhshëm, duke paralajmëruar se konfliktet në rritje dhe kriza klimatike do t'i lënë miliona njerëz të pambrojtur.
"Bota është në zjarr", deklaroi në Gjenevë shefi i ri për çështje humanitare të Kombeve të Bashkuara, Tom Fleçer, duke pranuar se me "drojë" shikon drejt vitit 2025.
Me konfliktet si Gaza, Sudani dhe Ukraina dhe duke parë atë se ndryshimet klimatike dhe moti ekstrem marrin shumë jetë, KB-ja vlerëson se vitin e ardhshëm 305 milion persona në nivel botëror do të kenë nevojë për ndonjë formë të ndihmës së menjëhershme.
Duke prezantuar Rishikimin global humanitar, Fleçer pranon se KB-ja dhe partnerët e saj nuk do të mund të prekin të gjithë ata që kanë nevojë.
Apeli vjetor i agjencive të KB-së dhe organizatave të tjera humanitare kërkon 47.4 miliardë dollarë për vitin 2025, pak më pak se apeli i këtij viti i cili duhet të jetë i mjaftueshëm për të ofruar ndihmë për 189.5 milionë nga njerëzit më të rrezikuar.
"Ka 115 milionë që nuk do të mund ta mbulojmë me këtë plan", theksoi Fleçer. qa/