KB-ja aktivizon Fond për raste urgjente për ndihmë humanitare për shkak të shkurtimeve të SHBA-së
- Kombet e Bashkuara kanë aktivizuar 110 milionë dollarë nga Fondi Qendror për Raste Urgjente për të ndihmuar krizat e neglizhuara në mbarë botën, pasi donatorët kryesorë, përfshirë edhe SHBA-në, reduktuan ndjeshëm mbështetjen e tyre financiare.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 14:48, 6 mars, 2025
Nju-Jork, 6 mars 2025 (MIA) - Kombet e Bashkuara kanë aktivizuar 110 milionë dollarë nga Fondi Qendror për Raste Urgjente për të ndihmuar krizat e neglizhuara në mbarë botën, pasi donatorët kryesorë, përfshirë edhe SHBA-në, reduktuan ndjeshëm mbështetjen e tyre financiare.
Sipas një kumtese zyrtare të KB-së, gjendja financiare për ndihmën humanitare është përkeqësuar prej vitesh, por një goditje shtesë ishte vendimi i administratës së Donald Trampit muajin e kaluar për të ngrirë ndihmat e huaja në vlerë 60 miliardë dollarë.
"Për vendet e prekura nga konflikti, ndryshimet klimatike dhe turbulencat ekonomike, këto shkurtime brutale nuk do të thotë se nevojat e tyre po zhduken", tha Tom Fleçer, nënsekretar i përgjithshëm i KB-së dhe Koordinatori për Raste Urgjente.
Fondi do të përdoret për të ndihmuar rajonet më të prekura në Afrikë, Azi dhe Amerikën Latine, ku kriza humanitare po rritet. Rreth një e treta e fondeve do të drejtohen në Sudan, ku vitet e luftës civile kanë shkaktuar zhvendosje masive dhe uri. Fonde shtesë do t'i ndahen Çadit, i cili ka pranuar mbi një milion refugjatë sudanezë.
KB-ja këtë vit ka kërkuar 45 miliardë dollarë për misionet humanitare, por deri më tani ka marrë vetëm 5 për qind të fondeve të nevojshme, përqindja më e ulët e donacioneve në dekada.
Me këtë ndërhyrje, KB-ja po përpiqet të zbusë pasojat e shkurtimeve drastike të ndihmës ndërkombëtare, të cilat janë rezultat i politikave të reja të SHBA-së, por edhe të donatorëve të tjerë të mëdhenj si Britania e Madhe, të cilët gjithashtu kanë reduktuar financimin e tyre për programet ndërkombëtare humanitare.
Foto: Arkivi