• e hënë, 23 dhjetor 2024

KB: Tetë milionë njerëzve në Sudanin Jugor u kanoset uria

KB: Tetë milionë njerëzve në Sudanin Jugor u kanoset uria
Nju-Jork, 3 nëntor 2022 (MIA) – Thuajse tetë milionë njerëzve në Sudanin Jugor ose dy të tretës së popullatës u kanoset mungesë e ushqimit dhe urisë, paralajmëruan Kombet e Bashkuara. “Uria dhe kequshqyerja janë në rritje në pjesë të Sudanit të Jugut të prekura nga përmbytjet, thatësira dhe konflikti, dhe disa komunitete janë në rrezik nga uria nëse ndërpritet ndihma humanitare dhe masat e përshtatjes klimatike nuk rriten”, thuhet në raportin e publikuar sot, të përgatitur nga Organizata e KB-së për Ushqim dhe Bujqësi (FAO), Fondi i KB-së për Fëmijët (UNICEF) dhe Programi Botëror i Ushqimit (WFP).
Sipas dokumentit, numri i njerëzve në rrezik nga mungesa e ushqimit nuk ka qenë kurrë më i lartë, duke i tejkaluar edhe nivelet e vërejtura gjatë konflikteve të viteve 2013 dhe 2016. Rreth 7.76 milionë njerëzve u kërcënohet pasiguri akute ushqimore në periudhën deri në korrjen e re, nga prilli deri në korrik 2023, ndërsa 1,4 milionë fëmijë do të jenë të kequshqyer, thuhet në raport. Arsyet për një situatë të tillë janë konfliktet, kushtet e këqija makroekonomike, kushtet ekstreme të motit, rritja e menjëhershme e çmimit të ushqimeve dhe karburanteve dhe rënia e fondeve për programet humanitare, thonë autorët.
Në vitin 2017, uri u shpall në Sudanin Jugor në qarqet Leeru dhe Majendito të Uniti, të cilat shpesh kanë qenë vend konflikti.
Sudani Jugor, vendi më i ri në botë, është kapluar nga konflikte të përgjakshme, fatkeqësi natyrore, kriza ekonomike dhe një luftë e vazhdueshme për pushtet që nga fitimi i pavarësisë nga Sudani në vitin 2011. Lufta civile pesëvjeçare që përfundoi në vitin 2018 mori gati 400.000 jetë.

QËNDRONI TË LIDHUR