• e mërkurë, 20 nëntor 2024

KB: Të paktën 2.940 njerëz u vranë në Mianmar pas grusht-shtetit

KB: Të paktën 2.940 njerëz u vranë në Mianmar pas grusht-shtetit

Gjenevë, 3 mars 2023 (MIA) - Që nga grushti-shteti ushtarak në Mianmar në shkurt të vitit 2021, deri tani janë vrarë të paktën 2.940 persona, deklaroi Ravina Shamdasani, zëdhënëse e Komisarit të lartë për të drejta të njeriut pranë Kombeve të Bashkuara.

Në Zyrën e KB-së në Gjenevë është mbajtur konferencë shtypi ku është diskutuar mbi situatën në Mianmar.

Shamdasani tha se është publikuar raporti i fundit mbi Mianmarin dhe theksoi se ushtria në Mianmar ka përdorur dhunë, përfshirë vrasjen e disidentëve, arrestime arbitrare, tortura dhe zhdukje të detyruara, duke shkaktuar krizë të vazhdueshme të të drejtave të njeriut.

Raporti dokumenton një sërë shkeljesh të të drejtave të njeriut dhe një rritje të mprehtë të dhunës, veçanërisht në rajonet veriperëndimore dhe juglindore të Mianmarit nga 1 shkurti 2021 deri më 31 janar 2023.

"Raporti citon burime të sigurta që konfirmojnë se të paktën 2.940 njerëz janë vrarë dhe 17.572 janë arrestuar nga ushtria dhe degët e saj që nga grushti-shteti", tha Shamdasani.

Sipas KB-së, të paktën 70.000 njerëz janë larguar nga Mianmari që nga fillimi i grusht-shtetit më 1 shkurt 2021 dhe më shumë se një milion janë ende të zhvendosur brenda vendit. Disa zyrtarë të lartë politikë janë në burg, duke përfshirë Aung San Su Qi.

Në të njëjtën kohë, më shumë se një milion myslimanë Rohinxha nga Mianmari kanë gjetur strehim në Bangladesh. 

QËNDRONI TË LIDHUR