• e hënë, 23 dhjetor 2024

KB: Situata në Rripin e Gazës është "më shumë se katastrofale"

KB: Situata në Rripin e Gazës është

Nju Jork, 6 shtator 2024 (MIA) - Më shumë se një milion persona në Gazën jugore dhe qendrore nuk morën asnjë vakt në gusht përmes ndihmës humanitare, deklaroi zëdhënësi i KB-së, Stefan Duzharik.

"Dhe krahas sfidave me të cilat përballemi, KB-ja dhe organizatat e tjera humanitare vazhdojnë të bëjnë gjithçka që është e mundur për t'u ofruar palestinezëve ndihmën që u nevojitet për të mbijetuar", tha ai.

Midis 19 gushtit deri në fund të muajit, 450.000 shujta ushqimesh të përgatitura në 130 kuzhina, çdo ditë dërgoheshin deri tek familjet në të gjithë Rripin e Gazës.

"Vlen të përsëritet se situata humanitare në Gazë është më shumë se katastrofale dhe se ne ende nuk i kemi të gjitha kushtet e nevojshme për të mbështetur personat për atë që vërtet kanë nevojë", tha Duzharik.

Për shkak të urdhrave të shumtë për evakuim të lëshuar nga forcat izraelite të sigurisë, 70 kuzhina patjetër të ndërprisnin punën ose të zhvendoseshin.

Muajin e dytë me radhë duket se nuk do të ketë furnizime të mjaftueshme për të plotësuar nevojat, që do të thotë se familjet në Gazën qendrore dhe jugore do të marrin vetëm një shujtë me ushqim.

Duzharik shtoi se pas 11 muajsh luftë, mediave ndërkombëtare ende u ndalohet hyrja në Gazë për të raportuar mbi pasojat humanitare të fundit.

Në Bregun Perëndimor, forcat izraelite vazhdojnë të "përdorin taktika vdekjeprurëse ushtarake", tha Duzharik, duke cituar raportet nga organizata për ndihmë urgjente të KB-së OCHA.

"Institucionet mjekësore janë praktikisht nën rrethim për më shumë se një javë, me kufizime të rrepta të lëvizjeve të automjeteve të ndihmës emergjente dhe personelit mjekësor", tha ai.

OCHA gjithashtu paralajmëron se kjo thellon nevojat humanitare të personave, si dhe pasigurinë dhe krijon shqetësime për përdorimin e tepruar të forcës.

Izraeli ka bllokuar dhe bombarduar pjesë të mëdha të Rripit të Gazës në luftën që filloi pasi grupi militant palestinez Hamas nisi sulme të paprecedentë ndaj Izraelit më 7 tetor ku u vranë rreth 1.200 persona.

Sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë, nën kontroll të Hamasit, madje më shumë se 40.000 persona janë vrarë në territorin palestinez që nga fillimi i luftës. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR