• e premte, 20 dhjetor 2024

KB: Situata në Siri është gjithnjë e më e rrezikshme

KB: Situata në Siri është gjithnjë e më e rrezikshme

 Nju - Jork, 30 tetor 2023 (MIA) - Kombet e Bashkuara (KB) sot shprehën shqetësime për përshkallëzimin e armiqësive në Siri dhe shtuan se në atë vend po ndjehen pasojat e luftës mes Izraelit dhe lëvizjes palestineze Hamas, raportoi Beta.

"Nga marsi i vitit 2020, konflikti sirian ka qenë në një qorr-sokak strategjik. Unë kam paralajmëruar prej kohësh se kjo status kuo e vë Sirinë në rrezik për të hyrë në një krizë më të thellë dhe të zgjatur, me rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm", tha i dërguari i posaçëm i KB-së për Sirinë Geir Pedersen në një takim të Këshillit të Sigurimit.

 Sipas tij, koha është që të apelojmë, pasi "tani gjendja është gjithnjë e më e rrezikshme".

"Përveç dhunës së shkaktuar nga vetë konflikti sirian, popullsia siriane tani përballet me perspektivën e tmerrshme të një përshkallëzimi potencialisht më të gjerë, të lidhur me zhvillimet alarmante në Izrael, territoret e pushtuara palestineze dhe rajon", tha Pedersen.

Ai shtoi se ajo tashmë ka filluar, duke aluduar në sulmet izraelite në aeroportet në Alepo dhe Damask.

"Vëmendja e botës është e përqendruar te kriza në Gaza, dhe me të drejtë. Por ne nuk duhet të heqim vëmendjen tonë nga krizat humanitare që vazhdojnë në vende të tjera, në një shkallë të gjerë, duke përfshirë në të njëjtin rajon", tha Pedersen. qa/

Foto: Arkivi i MIA -s

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR