• e shtunë, 21 dhjetor 2024

KB: Nga Libia u zhdukën 2,5 tonë uranium

KB: Nga Libia u zhdukën 2,5 tonë uranium

Uashington, 15 mars 2023 (MIA) - Inspektorë të kontrollit bërthamor nga Kombet e Bashkuara zbuluan se rreth 2,5 tonë uranium natyror janë zhdukuar nga një vend në Libi i cili më nuk është nën kontroll të qeverisë së shtetit, informuan mediat perëndimore. 

Gjatë inspektimit të djeshëm, inspektorët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (ANEA) konstatuan se "10 fuçi me rreth dy tonë e gjysmë uranium natyror në formë UOC (koncentrat minerali uraniumi), të cilin (Libia) e kishte deklaruar më parë për ruajtje në atë vend, nuk janë në atë vend", tha shefi i ANEA-s, Rafael Grosi.

Zbulimi është rezultat i një inspektimi të planifikuar fillimisht për vitin e kaluar, i cili "duhej të shtyhej për shkak të situatës së sigurisë në rajon" dhe u krye më në fund dje, thuhet në deklaratën konfidenciale nga shefi i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike, Rafael Grosi.

"Humbja e informacioneve në lidhje me vendndodhjen aktuale të materialit bërthamor mund të jetë rrezik radiologjik, si dhe shqetësim për sigurinë bërthamore," thuhet në raport, duke shtuar se për të arritur në atë vend duhet "logjistikë e ndërlikuar".

Në vitin 2003, Libia nën liderin e atëhershëm Moamer Gadafi hoqi dorë nga programi i saj për armë bërthamore, i cili kishte centrifuga të cilat mund të pasuronin uranium, si dhe informacione për dizejnin e bombës bëthamore, edhe pse u arrit përparim i vogël. 

Në Libi nuk ka paqe pas vitit 2011, kur ishte rrëzuar Gadafi. Që nga viti 2014, kontrolli politik është ndarë mes fraksioneve rivale lindore dhe perëndimore, ndërsa konflikti i fundit i madh përfundoi në vitin 2020. 

Qeveria e përkohshme e Libisë, e formuar në fillim të vitit 2021 përmes planit paqësor i mbështetur nga KB-ja, duhej të zgjaste vetëm deri në zgjedhjet e caktuara për në dhjetor të vitit të njëjtë, të cilat ende nuk janë mbajtur, ndërsa legjitimiteti i saj tani gjithashtu është i kontestuar. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR