KB: Në Gazë po hyn vetëm gjysma e ndihmës së nevojshme, qindra mijëra njerëz në uri
- – Programi botëror për ushqim i Kombeve të Bashkuara (VFP) sot bëri të ditur se në Rripin e Gazës po hyn vetëm rreth 50 për qind e ndihmës së nevojshme humanitare, edhe krahas paralajmërimeve për pauza të përditshme humanitare në luftërat.
- Post By Fitore Curri
- 15:55, 29 korrik, 2025
Gjenevë, 29 korrik 2025 (MIA) – Programi botëror për ushqim i Kombeve të Bashkuara (VFP) sot bëri të ditur se në Rripin e Gazës po hyn vetëm rreth 50 për qind e ndihmës së nevojshme humanitare, edhe krahas paralajmërimeve për pauza të përditshme humanitare në luftërat.
“Pasi të dielën filluan pauzat humanitare, në Gazë po hyn afërsisht gjysma e ndihmës që e kërkojmë”, deklaroi Ros Smit, përfaqësues i VFP.
Sipas vlerësimeve të VFP, afro 470.000 njerëz gjenden në kushte të ngjashme me uri, në mesin e të cilëve 90.000 gra dhe fëmijë të cilëve u nevojitet ushqim i specializuar.
Klasifikimi i integruar i fazës së sigurisë së ushqimit (IPC) sot paralajmëroi se në Gazë zhvillohet skenari më i keq i mundshëm i urisë dhe se nevojiten masa urgjente që të ndërpriten veprimet luftarake dhe të mundësohet përgjigje e pandërprerë, e vëllimshme humanitare e cila është me rëndësi jetësore.
“Kjo është rruga e vetme që të ndërpritet vdekja e mëtutjeshme dhe vuajtja katastrofale njerëzore”, bëhet e ditur në paralajmërimin e IPC, i cili bashkëpunon me qeveritë, organizatat ndërkombëtare dhe agjencitë e KB-së në vlerësimin e vëllimit të urisë te popullsia.
Sipas kritereve zyrtare të IPC, uri vlerësohet kur të paktën 20 për qind e popullsisë vuan nga mungesa ekstreme e ushqimit, çdo i treti fëmijë nuk ushqehet, ndërsa të paktën dy persona në 10.000 banorë vdesin nga pasojat e urisë, kequshqyerjes ose sëmundje në lidhje me ushqimin.
Ministria e Shëndetësisë në Gazë bën të ditur se nga uria deri më tani kanë ndërruar jetë të paktën 147 persona, duke përfshirë 88 fëmijë, shumica gjatë javëve të fundit.
Sipas të dhënave të IPC, për përmbushjen e nevojave themelore në Gazë nevojiten 62.000 tonë ushqime bazë në muaj.
Megjithatë, sipas agjencisë izraelite për koordinim të ndihmës, COGAT, në maj kanë hyrë vetëm 19.900 tonë, ndërsa në qershor 37.000 tonë.
Smit shtoi se VFP për momentin nuk ka rezerva të mjaftueshme as leje për rihapje të furrave dhe kuzhinave të përbashkëta, të cilat para bllokadës së plotë në Gazë në maj ishin me rëndësi kyçe për ushqyerjen e popullsisë.
Ministri izraelit i punëve të jashtme, Gideon Saar, deklaroi sot se “situata në Gazë është e vështirë”, por i akuzoi aktorët politikë ndërkombëtare për “gënjeshtra për uri”.
Ai thotë se në Gazë kanë hyrë 5.000 kamionë me ndihmë gjatë dy muajve, dhe se Izraeli është i gatshëm që të ndihmojë në realizimin e dërgesave ajrore të ndihmës. fc/