• e premte, 05 dhjetor 2025

KB ka regjistruar të paktën 875 vrasje tek vendet për ndihmë humanitare në Gaza

KB ka regjistruar të paktën 875 vrasje tek vendet për ndihmë humanitare në Gaza

Nju-Jork, 16 korrik 2025 (MIA) - Zyra e KB-së për të drejtat e njeriut dje publikoi se në gjashtë javët e fundit ka regjistruar të paktën 865 vrasje në vendet humanitare në Gaza të udhëhequra nga Fondacioni humanitar Gaza - të mbështetur nga SHBA dhe Izraeli - dhe në disa karvane të udhëhequra nga grupe tjera humanitare, duke përfshirë edhe Kombet e Bashkuara.

Shumica e të vrarëve ishin në afërsi të lokacioneve të Fondacionit humanitar Gaza-FHG (GHF), ndërsa rreth 200 njerëz  u vranë në rrugët e karvaneve tjera humanitare.

GHF shfrytëzon kompani private amerikane për sigurim dhe logjistikë për dërgimin e rezervave në Gaza, në masë të madhe duke anashkaluar sistemin e drejtuar nga KB për të cilin izraeli pohon se u ka lejuar pjesëtarëve të Hamasit t'i grabisin dërgesat me ndihmë të destinuar për civilët. Hamasi mohon akuzat.

GHF, e cila filloi me shpërndarjen e paketave me ushqim në Gaza kah fundi i majit pasi Izraeli ndërpreu bllokadën 11-të javëshe për ndihmë, paraprakisht për Rojtersin britanik kumtoi se nuk ka pasur incidente të tilla në lokacionet e tij dhe akuzoi KB-në për dezinformata, që KB e mohoi.

GHF nuk u përgjigj menjëherë në kërkesën për koment për shifrat më të reja të KB-së.

"Të dhënat që i kemi bazohen në informatat tona personale të mbledhura përmes burimeve të ndryshme të sigurta, duke përfshirë organizatat mjekësore për të drejtat e njeriut dhe organizatat humanitare", tha Tamin Al-Kitan, zëdhënës i Zyrës së Komisarit të lartë të KB-së për të drejtat e njeriut, në Gjenevë.

Për Kombet e Bashkuara modeli për ndihmë i GHF-së është "sipas natyrës i pasigurt" dhe paraqet shkeljen e standardeve për paanshmëri humanitare.

GHF dje kumtoi se nga fundi i majit ka dorëzuar më shumë se 75 milionë shujta për palestinezët në Gaza dhe se Hamasi ose grupet kriminale "kanë grabitur pothuajse gjithë ndihmën", nga grupet tjera humanitare.

Ushtria izraelite më parë tha se po shqyrtonte viktimat masive të fundit dhe ishte përpjekur të zvogëlonte kontaktin fizik midis palestinezëve dhe Forcave Mbrojtëse Izraelite duke ngritur gardhe dhe tabela, si dhe duke hapur rrugë shtesë.

Zyra e KB-së për koordinim të punëve humanitare paraprakisht citoi disa raste të grabitjeve të dhunshme të ndihmës, ndërsa Programi botëror për ushqim i KB-së javën e kaluar kumtoi se disa kamionë që kanë dërguar ndihmë ushqimore për Gazën janë kapur nga "komunitete civile të uritura". sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR