• e premte, 05 dhjetor 2025

Katmandu vendos orë policore, ushtria patrullon nëpër rrugë

Katmandu vendos orë policore, ushtria patrullon nëpër rrugë

Katmandu, 10 shtator 2025 (MIA) - Ushtria e Nepalit vazhdon të patrullojë rrugët gjatë orës policore të pakufizuar në Katmandu, pas dy ditësh protesta kundër korrupsionit në të cilat u vranë të paktën 21 persona, ndërsa kryeministri KP Sharma Oli dha dorëheqje.

"Së pari po përpiqemi të normalizojmë situatën. Jemi të përkushtuar për të mbrojtur jetën dhe pronën e njerëzve", tha zëdhënësi i ushtrisë, Raxha Ram Basnet.

Nuk u raportuan protesta në Katmandu, por mediat lokale raportuan se rreth 25 persona u arrestuan për përpjekje për të "shkaktuar trazira" në periferi të kryeqytetit.

"Nuk ka protestues këtu. Vetëm disa njerëz që ecin në rrugë. Është qetësi këtu", tha një banor i qytetit, i cituar nga mediat britanike.

Mediat e Nepalit raportuan se po bëhen përgatitje për bisedime midis autoriteteve dhe protestuesve, por detaje të mëtejshme nuk dihen ende.

Presidenti i Nepalit, Ram Çandra Paudel, u bëri thirrje dje të gjitha palëve, përfshirë qytetarët protestues, të kërkojnë një zgjidhje paqësore përmes dialogut për lëvizjen e vazhdueshme të gjeneratës Z.

Apeli erdhi në mes të demonstratave të dhunshme në të cilat të paktën 21 persona u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën kur forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj protestuesve jashtë parlamentit të Nepalit.

Protestuesit më vonë sulmuan institucionet kryesore qeveritare, përfshirë zyrën e presidentit, ndërsa gruaja e ish-kryeministrit të Nepalit, Xhala Nat Kanala, vdiq pasi u dogj e gjallë kur shtëpia e saj u vu në flakë.

Mediat rajonale raportuan se tre policë u linçuan pavarësisht se kishin dorëzuar armët pasi u sulmuan nga protestuesit.

Ushtria e Nepalit më parë u kishte bërë thirrje publikisht qytetarëve, veçanërisht të rinjve, që të tregonin përmbajtje dhe të ruanin trashëgiminë historike dhe kulturore të kombit gjatë kësaj periudhe trazirash. sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR