• e premte, 05 dhjetor 2025

Katar: Netanjahu nuk do të mbetet pa u ndëshkuar

Katar: Netanjahu nuk do të mbetet pa u ndëshkuar

Doha, 17 shtator 2025 (MIA) - Katari deklaroi se shkeljet e të drejtës ndërkombëtare nga kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu "nuk do të mbeten pa u ndëshkuar".

Netanjahu të hënën deklaroi se sulmi izraelit i javës së kaluar në të cilin u vranë pesë anëtarë të Hamasit në Doha ishte një "mesazh", duke pohuar se sulmi nuk ishte i pasuksesshëm. 

"Jemi mësuar që kryeministri izraelit të përpiqet të shpërqendrojë vëmendjen dhe të justifikojë dështimet e tij pas çdo dështimi që pëson për shkak të politikave të tij të papërgjegjshme", deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, në brifing me gazetarët në Doha.

"Gjithashtu duam t'i dërgojmë një mesazh - shkeljet e së drejtës ndërkombëtare nuk do të mbeten pa u ndëshkuar", tha ai.

Lidhur me përpjekjet për ndërmjetësim të Katarit për të arritur një marrëveshje armëpushimi në Gazë, Ansari tha se "kjo nuk duket realiste sepse kryeministri izraelit dëshiron të vrasë të gjithë ata që negociojnë me të dhe të bombardojë vendin ndërmjetës".

"Katari aktualisht është plotësisht i përqendruar në mbrojtjen e sovranitetit të tij kombëtar, duke iu përgjigjur sulmit të fshehtë izraelit ndaj tij, duke marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që kjo të mos ndodhë përsëri dhe duke i thirrur në përgjegjësi ata që janë përgjegjës", tha ai, duke shtuar se "të gjitha mendimet e tjera politike tani janë dytësore në dritën e situatës me të cilën përballemi sot".

Katari, së bashku me Egjiptin dhe SHBA-në, po ndërmjetëson në përpjekjet për t'i dhënë fund luftës së Izraelit në Rripin e Gazës, në të cilën që nga tetori i vitit 2023 kanë vdekur pothuajse 65.000 palestinezë. ls/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR