Kataib Hezbollahu i Irakut njofton ndërprerje pesëditore të sulmeve ndaj ambasadës së ShBA-së
- Grupi i armatosur irakian Kataib Hezbollah sot njoftoi ndërprerje pesëditore të sulmeve ndaj ambasadës së ShBA-së në Bagdad, të kushtëzuar nga zhvillimet që lidhen me aksionet ushtarake izraelite.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 14:13, 19 mars, 2026
Bagdad, 19 mars 2026 (MIA) - Grupi i armatosur irakian Kataib Hezbollah sot njoftoi ndërprerje pesëditore të sulmeve ndaj ambasadës së ShBA-së në Bagdad, të kushtëzuar nga zhvillimet që lidhen me aksionet ushtarake izraelite.
Në komunikatë, zyrtari i sigurisë i grupit, Abu Muxhahid al-Asaf, tha se pauza do të varet nëse Izraeli do të ndalojë atë që ai e përshkroi si "zhvendosje të civilëve dhe bombardime në periferitë jugore të Bejrutit".
Grupi, gjithashtu vendosi kushte shtesë, duke përfshirë ndërprerjen e sulmeve ndaj zonave të banuara në Irak dhe kufizime për personelin e inteligjencës amerikane, duke bërë thirrje që ata të qëndrojnë në kompleksin e ambasadës.
Kataib Hezbollah paralajmëroi se sulmet do të vazhdojnë me intensitet më të madh nëse kushtet nuk përmbushen pas periudhës pesëditore.
Al-Asafi, gjithashtu u bëri thirrje autoriteteve irakiane të sigurojnë mbrojtjen e misioneve diplomatike dhe objekteve ekonomike.
Foto: Arkivi