Katër të vdekur gjatë shembjes së një ndërtese në renovim në Madrid
- Katër persona humbën jetën pasi një ndërtesë në rikonstruksion u shemb në qendër të Madridit, raportoi transmetuesi shtetëror RTVE herët këtë mëngjes, duke cituar shërbimet e emergjencës të cilat thanë se të gjithë trupat ishin gjetur, transmetoi DPA.
- Post By Sara Ademi
- 08:53, 8 tetor, 2025
Madrid, 8 tetor 2025 (MIA) - Katër persona humbën jetën pasi një ndërtesë në rikonstruksion u shemb në qendër të Madridit, raportoi transmetuesi shtetëror RTVE herët këtë mëngjes, duke cituar shërbimet e emergjencës të cilat thanë se të gjithë trupat ishin gjetur, transmetoi DPA.
"Dy trupa u gjetën në rrënoja vonë mbrëmë, pothuajse 10 orë pas aksidentit", tha kryebashkiaku i qytetit, Hoze Martinez Almeida. Dy të tjerë u gjetën dhe u nxorën pak para orës 3 të mëngjesit të sotëm, raportoi RTVE.
Fillimisht u raportuan të zhdukur katër persona, përfshirë tre burra dhe një grua. Autoritetet thanë se gruaja ishte arkitektja kryesore në projekt.
Autoritetet thanë se tre punëtorë u plagosën gjatë shembjes së ndërtesës, dy prej të cilëve u plagosën lehtë dhe njëri prej të cilëve kishte thyer këmbën.
Ndërtesa gjashtëkatëshe u shemb pjesërisht dje, pak pas orës 13:00, pranë Plaza de Isabel II, e njohur edhe si Plaza de Opera. Ndërtesa kishte qenë në rikonstruksion për njëfarë kohe, raporton DPA.
"Disa struktura të tavanit të ndërtesës, e cila ishte në proces rinovimi, u shembën", tha Beatris Martin, një zëdhënëse e shërbimeve të emergjencës së Madridit, duke shtuar se ishte "shumë herët" për të spekuluar mbi shkakun.
Dëshmitarët raportuan një shpërthim të fortë të ndjekur nga një re e dendur pluhuri. "Papritmas nuk mund të shihje asgjë", tha për RTVE Hoze, një punëtor në një bar aty pranë.
"Tingëllonte si një bombë, të gjithë ishim shumë të frikësuar", tha Bojana, një punonjëse në një furrë buke pranë vendit të aksidentit.
Gjashtëmbëdhjetë njësi të brigadës së zjarrfikësve të Madridit u vendosën në vend për të siguruar rrënojat, për të parandaluar shembjet e mëtejshme dhe për të kërkuar për njerëz që mund të jenë bllokuar U përdorën gjithashtu qen kërkimi dhe dronë, dhe shërbimet e emergjencës e rrethuan gjerësisht zonën.
Sipas RTVE, ndërtesa, e cila më parë strehonte zyra, ka marrë miratimin për t'u shndërruar në akomodim turistik. Qyteti lëshoi licencën për përdorimin e ri në shkurt, raportoi transmetuesi, transmeton DPA. sa/
foto: X