• e hënë, 23 dhjetor 2024

Katër eurodeputetë propozojnë "Mini-shengen turistik" mes Bullgarisë, Greqisë dhe Rumanisë

Katër eurodeputetë propozojnë

Bruksel, 26 janar 2024 (MIA) - Katër deputetë anëtarë të grupit liberal "Ta rinovojmë Evropën" në Parlamentin Evropian propozojnë formimin e "Zonës mini-shengen" mes Bullgarisë, Greqisë dhe Rumanisë, e cila do të bëhej operative këtë verë me qëllim që të ulen turmat në komunikacion mes tre vendeve anëtare ballkanike të BE-së gjatë sezonit turistik.

Siç informon korrespondenti i MIA-s, nga Brukseli, ideja e tillë tregohet në letrën të cilën eurodeputetët Daniel Laurer nga Bullgaria, Georgios Kircos nga Greqia dhe Daçian Çiolsh dhe Vllad George nga Rumania ia dërguan ministrit grek të Emigracionit dhe Azilit, Dimitris Kajridis. 

Në letër katër eurodeputetët, duke iu referuar mbështetjes së Komisionit Evropian për pranim të Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen, thonë se përfaqësuesit e turizmit grek dhe të sektorit hotelierik dhe gastronomik "insistojnë" në heqjen e kontrolleve në kufijtë tokësorë, që të lehtësohet udhëtimi i turistëve rumunë dhe bullgarë në Greqi. 

Ideja e propozuesve është heqja e kontrolleve kufitare të vlejë vetëm në vendkalimet në kufirin tokësor mes Bullgarisë dhe Greqisë, për çka, sipas tyre, nuk do të kishte nevojë të kërkohet leje nga vendet e tjera anëtare të zonës Shengen, por vetëm të informohen për vendimin e tillë. 

Ata shtojnë edhe se nëse ideja e tyre është e pranueshme, krijimi i këtij "Mini shengeni" do të duhej të dakordohej deri në fillim të marsit, me qëllim që të mund të funksionojë deri në fillimin e sezonit turistik veror. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR