• e martë, 24 dhjetor 2024

Kasjanov: Sulmi ndaj Kremlinit ka qenë i inskenuar

Kasjanov: Sulmi ndaj Kremlinit ka qenë i inskenuar

Moskë, 4 maj 2023 (MIA) – Ish kryeministri rus Mihail Kasjanov i cili ka ushtruar funksionin gjatë mandatit të parë presidencial të Vlladimir Putinit nga viti 2000 deri në vitin 2004, beson se sulmi i djeshëm mbi Kremlinin ka qenë një “operacion i inskenuar”.

Në intervistën për Skaj Njuz, Kasjanov tha se Rusia e ka organizuar sulmin për të inkurajuar më shumë qytetarë të regjistrohen në forcat e armatosura ruse.

"Putinit kjo i duhej para Ditës së fitores", shtoi ai, duke iu referuar shënimit vjetor të fitores së Rusisë kundër nazistëve.

Kasjanov u largua nga Rusia vitin e kaluar dhe tani është shumë kritik ndaj veprimeve të Kremlinit në Ukrainë, pavarësisht se dikur ka bashkëpunuar ngushtë me Putinin.

Ai thekson se është interesante që Moska është e gatshme të fajësojë Ukrainën për kinse sulmin me dron, edhe pse me automatizëm pranon se dronët ukrainas mund të arrijnë në Kremlin. Ai paralajmëroi se duhet të "pritet diçka më shumë" nga Moska në ditët në vijim, si një provokim tjetër.

Kujtojmë se Kremlini u sulmua me dron mëngjesin e djeshëm dhe Moska njoftoi se bëhet fjalë për një tentim të dështuar për atentat ndaj Putinit. Kremlini tha se e konsideron sulmin një "akt të planifikuar terrorist" dhe e mban të drejtën për t'u hakmarrë.

QËNDRONI TË LIDHUR