Kasem: Hezbollahu nuk do të çarmatoset derisa Izraeli nuk tërhiqet nga Libani
- Lideri i Hezbollahut, Naim Kasem sot përsëriti se organizata libaneze nuk do ta dorëzojë armën derisa Izraeli nuk tërhiqet nga Libani jugor dhe i ndërpret sulmet ajrore.
- Post By Besnik Shuki
- 14:03, 6 korrik, 2025
Bejrut, 6 korrik 2025 (MIA) - Lideri i Hezbollahut, Naim Kasem sot përsëriti se organizata libaneze nuk do ta dorëzojë armën derisa Izraeli nuk tërhiqet nga Libani jugor dhe i ndërpret sulmet ajrore.
"Si mund të prisni prej neve të mos jemi të fuqishëm derisa armiku izraelit vazhdon me agresionin e vet, vazhdon t'i okupojë pesë pikat dhe vazhdon të hyjë në territoret tona dhe të vrasë. Ne nuk do të jemi pjesë e legjitimimit të okupimit të Libanit dhe rajonit. Ne nuk do pranojmë normalizim (me Izraelin)", theksoi Kasem.
Izraeli vazhdon të sulmojë Hezbollahun pavarësisht marrëveshjes për armëpushim të arritur më 27 nëntor të vitit të kaluar. Në sulmet izraelite janë vrarë shumë udhëheqës të Hezbollahut, përfshirë sekretarin e përgjithshëm të organizatës, Hasan Nasrallah, ndërsa u shkatërrua edhe pjesa më e madhe e arsenalit të grupit proiranian.
Sipas marrëveshjes për armëpushim, Hezbollahu duhet të çarmatoset dhe ta largojë infrastrukturën e tij ushtarake në jug të lumit Litani, rreth 30 kilometra larg kufirit izraelit. Ndërsa Izraeli duhet të tërheqë forcat e veta nga territori libanez, por të mbajë pesë kalime kufitare që i konsideron strategjike. bsh/
Foto: MIA arkiv