• e diel, 19 janar 2025

Kasanof në Tiranë: Është e rëndësishme transparenca në reformat në drejtësi, SPAK institucioni më i besueshëm në Shqipëri

Kasanof në Tiranë: Është e rëndësishme transparenca në reformat në drejtësi, SPAK institucioni më i besueshëm në Shqipëri

Tiranë, 19 dhjetor 2024 (MIA) – Zëvendës ndihmës sekretari i shtetit SHBA për Ballkanin Perëndimor, Aleksandar Kasanof, i cili sot po qëndron në Tiranë, në takimin me kryeministrin Edi Rama, ka vlerësuar se transparenca në reformat në drejtësi është shumë e rëndësishme, duke përsëritur se “SPAK është institucioni më i besueshëm në Shqipëri”. 

“Zëvendës ndihmës sekretari i Shtetit, Aleksandar Kasanof dhe kryeministri Edi Rama u takuan sot për të diskutuar mbi partneritetin e fortë SHBA-Shqipëri dhe mbështetjen e Shqipërisë për çështje kyçe shumëpalëshe, duke rikonfirmuar angazhimin e tyre për arritjen e qëllimeve të përbashkëta. Ata shqyrtuan përparimin e Shqipërisë drejt integrimit në BE, rëndësinë e transparencës në reformën në drejtësi dhe forcimin e përpjekjeve kundër korrupsionit. Ai e përsëriti qëndrimin se SPAK është institucioni më i besueshëm në Shqipëri”, qëndron në publikimin e ambasadës amerikane, njoftuan mediat.

Kasanof, sot mori pjesë në solemnitetin me rastin e pesëvjetorit të formimit të Prokurorisë Speciale Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, SPAK, ku vlerësoi se “ky është institucioni më i besueshëm publik në Shqipëri”, i cili bën “përpjekje më të suksesshme kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në historinë shqiptare”.

“Arrestimet, procedimet penale dhe dënimet tuaja të jashtëzakonshme, kundër atyre që dikur ishin të paprekshëm, flasin shumë. Puna juaj frymëzon besimin se prova do të ndiqet brenda kornizës së ligjit pavarësisht se ku, pavarësisht se drejt kujt çojnë hetimet. Asnjë nuk është mbi ligjin”, tha Kasanof.

Për këtë, theksoi, duhet të sigurohet “vazhdimësi në këtë luftë pa ndërprerje”, duke rekomanduar se prokurorët e SPAK duhet të lejohen që përsëri të aplikojnë pas përfundimit të mandatit të tyre të tanishëm. Shtoi se, nëse nuk arrihet kjo, “ekziston rrezik që të dëmtohet kjo luftë dhe rrezikon të humbim profesionistët me më shumë përvojë në këtë lëmi”. fc/

Fotografia: Ambasada e SHBA-së - Tiranë

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR