Kasami: Tetovën e gjeta në kaos, sot qyteti po ndryshon, kujdes për të gjithë qytetarët dhe shërbime të reja sociale në mandatin edytë
- Në fillim të mandatit, Tetovën e gjeta në gjendje katrahure. Nuk kishin punuar as për shqiptarët, as për maqedonasit, as për të rinjtë, as për të moshuarit, as për askënd; kishin punuar vetëm për një rreth të vogël interesash. Qyteti ishte i zhytur në borxhe, rrugë të shkatërruara dhe shërbime të mjera.
- Post By Melahat Baftija
- 17:47, 4 tetor, 2025
Shkup, 4 tetor 2025
Të nderuar përfaqësues të mediave, të dashur qytetarë të Tetovës,
Në fillim të mandatit, Tetovën e gjeta në gjendje katrahure. Nuk kishin punuar as për shqiptarët, as për maqedonasit, as për të rinjtë, as për të moshuarit, as për askënd; kishin punuar vetëm për një rreth të vogël interesash. Qyteti ishte i zhytur në borxhe, rrugë të shkatërruara dhe shërbime të mjera.
Sot, Tetova po ndryshon rrënjësisht. Sot Tetova është qytet që kujdeset edhe për infrastrukturën, edhe për mjedisin, për kulturën, për artin, për sportin, por edhe për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve.
Prandaj sot erdha të bashkëbisedoj me Shoqatën e Pensionistëve, për punët që kemi bërë gjatë mandatit të parë dhe planet për mandatin e dytë.
Së pari, jam i lumtur që edhe si Qeveri, VLEN e ka dëshmuar kujdesin ndaj pensionistëve, me rritjen e pensioneve për 7.000 denarë për vetëm 15 muaj qeverisje. Diçka që nuk ka ndodhur kurrë më parë.
Edhe si komunë e Tetovës, pensionistët i kemi mbështetur në mënyra të ndryshme. Ndër projektet që kemi përkrahur janë “takimet ndëretnike të pensionistëve” me buxhet prej 200 mijë denarësh.
Do të vazhdojmë të kujdesemi për pensionistët dhe kategoritë më të ndjeshme të shoqërisë edhe në mandatin e dytë, me një sërë masash që kemi paraparë në programin e detajuar NJË ZË PËR TETOVËN.
Do ta ndërtojmë një shtëpi për të moshuarit, parashikojmë shërbime që u mundësojnë të moshuarve jetesë aktive, përmes shërbimit “Ndihmë dhe kujdes në shtëpi”, hapjes së “Qendrës Ditore për Plakje Aktive”, parashikojmë ndihmë financiare për kategoritë e rrezikuara sociale, parashikojmë shërbimin e ri “Asistent Personal” për personat me invaliditet, duke garantuar mbështetje të vazhdueshme dhe përfshirje të plotë në jetën e komunitetit. Transportin publik e bëjmë falas për të gjithë.
Tetova do të përkujdeset për të gjithë qytetarët, pa dallim etnie, përkatësie fetare, pa dallim moshe apo statusi social, për një jetë të dinjitetshme për të gjithë.
Të nderuar,
Në mandatin e dytë, me Kapitullin e Dytë të zhvillimit, Tetova vazhdon fuqishëm përpara në çdo sferë e në çdo lëmi. Tetova nuk kthehet në të kaluar e zymtë të mosfunksionimit, të papërgjegjësisë dhe korrupsion. Me mbështetjen e popullit tonë që na solli deri këtu, vazhdojmë me punë edhe më shumë, edhe më mirë, edhe më fuqishëm.
Ju faleminderit.
VLEN