• e premte, 05 dhjetor 2025

Kapetanoviq bën thirrje për mbështetje parlamentare për lidhshmërinë rajonale

Kapetanoviq bën thirrje për mbështetje parlamentare për lidhshmërinë rajonale

Tiranë, 11 qershor 2025 (MIA)- Sekretari i përgjithshëm i Këshillit për bashkëpunim rajonal (RCC), Amer Kapetanoviq mori pjesë në Sesionin e XII plenar të Asamblesë parlamentare të Procesit të bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP PA) i cili u zhvillua dje në Tiranë. Gjatë sesionit, ai mbajti fjalim në kuadër të debatit me temë “Bashkëpunimi parlamentar për përforcimin e lidhshmërisë rajonale në Evropën Juglindore”.

Në adresimin e tij, Kapetanoviq theksoi rëndësinë e një qasjeje gjithëpërfshirëse ndaj konceptit të lidhshmërisë, duke thënë se “lidhshmëria sot nuk ka të bëjë vetëm me rrugët, hekurudhat, portet apo rrjetin broadband – ajo ka të bëjë me qëllime të përbashkëta, mundësi ekonomike dhe përafrim strategjik”

Ai nënvizoi se me një popullsi mbi 150 milionë banorë dhe një Prodhim të brendshëm bruto të përbashkët mbi 2 trilionë dollarë, rajoni i Evropës Juglindore zotëron potencial të jashtëzakonshëm për t’u shndërruar në një nyje të rëndësishme të zinxhirëve globalë të furnizimit dhe investimeve të bazuara në inovacion.

“Për të çliruar këtë potencial, lidhshmëria duhet të jetë pa pengesa dhe e qëndrueshme ndaj ndryshimeve klimatike. Vizioni i RCC-së për tre vitet e ardhshme është i qartë: një Evropë Juglindore që është e bashkuar, rezistente dhe e gatshme për të ardhmen. Por që kjo të realizohet, parlamentet duhet të luajnë rol kyç, duke ofruar legjitimitet demokratik dhe duke siguruar që integrimi të jetë një proces i udhëhequr nga qytetarët”, u shpreh ai.

Me këtë rast, RCC prezantoi gjithashtu Raportin e shpejtë mbi gjendjen e tregtisë dhe lidhshmërisë në transport në Evropën Juglindore, duke theksuar progresin e arritur si dhe sfidat e mbetura në drejtim të forcimit të ndërlidhjes rajonale.

Në kuadër të punimeve të Asamblesë, Kapetanoviq zhvilloi edhe takim dypalësh me Natalija Kiselova, kryetare e Parlamentit të Bullgarisë. Takimi u mbajt në kontekstin e marrjes së ardhshme nga Bullgaria të kryesimit të Procesit të SEECP-së, ndërsa ceremonia zyrtare e dorëzimit të kryesimit nga Shqipëria pritet të mbahet po në Tiranë.

Gjatë takimit, të dy zyrtarët diskutuan rëndësinë e koordinimit të ngushtë ndërmjet kryesimit bullgar dhe RCC-së, në rolin e saj si krahu operativ i SEECP-së. Ata theksuan domosdoshmërinë e ruajtjes së momentumit politik dhe forcimit të përfshirjes parlamentare për të përshpejtuar zbatimin e prioriteteve strategjike rajonale, përfshirë Strategjinë SEE2030, Tregun e përbashkët rajonal (CRM) dhe Agjendën e gjelbër për Ballkanin Perëndimor (GAWB).

“Parlamentet janë aleatë kyç për të siguruar që iniciativat rajonale të përkthehen në përfitime reale për qytetarët tanë. E mirëpres mbështetjen e fuqishme të Parlamentit bullgar për bashkëpunim më të thellë rajonal dhe mezi pres bashkëpunimin tonë të ngushtë gjatë gjithë kryesimit të Bullgarisë,” theksoi Kapetanoviq.

QËNDRONI TË LIDHUR