Kandidati për kryetar të komunës së Likovës, Sadiku: Do të zbulojmë të vërtetën lidhur me manipulimet për investimet në përmirësimin e infrastrukturës në komunë
- Post By Melahat Baftija
- 17:58, 24 gusht, 2025
Shkup, 24 gusht 2025
Nexhmedin Sadiku - kandidat për kryetar të komunës së Likovës
Të nderuar përfaqësues të mediave,
Jemi këtu sot për të nxjerrë në shesh të vërtetën në lidhje me manipulimet për investimet e fundit në përmirësimin e infrastrukturës në komunën tonë dhe për t’i informuar qytetarët për të vërtetën: kush është financuesi i këtyre projekteve.
Qeveria VLEN, në seancën e mbajtur më 16 tetor 2024, mori vendim për financimin e projektit për rikonstruksionin e rrugës Orizare – Sllupçan në vlerë prej 35.081.566,00 denarë, apo 570,431 euro. (shfaqet foto nr. 1 – Vendimi i Qeverisë).
Ky vendim është marrë në bazë të nenit 11, paragrafi (6) të Ligjit për financimin e njësive të vetëqeverisjes lokale dhe nenit 33-a të Ligjit për ekzekutimin e Buxhetit për vitin 2024.
Si asnjëherë më parë, Qeveria VLEN ka ndarë 250 milionë euro në vit, apo 1 miliardë euro përgjatë mandatit 4-vjeçar, për përmirësimin e infrastrukturës komunale. Nga këto mjete, 30% shkojnë për projekte në komunat me shumicë shqiptare.
Edhe pse kreu i Komunës së Likovës është munduar t’i përvetësojë meritat për këtë projekt, duke vendosur në tabelë komunën si investitor, qytetarët e dinë shumë mirë se ky projekt – ashtu si edhe shumë të tjerë – u bënë të mundur nga Qeveria VLEN vetëm brenda një viti qeverisjeje.
Ky projekt për rikonstruksionin e rrugës Orizare – Sllupçan financohet nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Këtë e vërteton lehtësisht aplikimi që ka bërë Komuna në Ministrinë e Transportit (foto nr. 1), këtë e pohon edhe vetë Komuna e Likovës në postimin e faqes zyrtare të kryetarit Erkan Arifi (foto nr. 2), por e dëshmojnë gjithashtu edhe vendimet e Qeverisë dhe dokumentacioni në faqen e tenderimeve publike.
E vërteta është e qartë: edhe pse kryetari i Komunës së Likovës ka tentuar t’i përvetësojë meritat për këtë projekt, dokumentacioni zyrtar, vendimet e Qeverisë dhe tenderimet publike dëshmojnë qartë se financues është Qeveria VLEN.
Qytetarët e dinë se kjo rrugë dhe shumë të tjera si kjo janë realizuar vetëm gjatë një viti të qeverisjes sonë. Ndërkohë, kryetari aktual nuk ka ofruar projekte të reja për aq sa ka qenë e gatshme t’i financojë Qeveria VLEN. Pikërisht për këtë arsye, funksionarë të Qeverisë e kanë vizituar Likovën për t’i dhënë direktiva konkrete.
Përveç rrugës Orizare – Sllupçan, kemi financuar edhe:
30 milionë denarë për rrugën Gllazhnje – Gushincë,
5 milionë denarë për fushën sportive në Ropalc,
investime për rregullimin e shtratit të lumit në Orizare,
dhe mbi 110 milionë denarë për rrugë lokale në Likovë, Nikushtak, Vaksincë dhe Sllupçan.
Me ndryshimin që po vjen edhe në nivel lokal në komunën tonë, kësaj të lënë pas dore për 20 vjet, më në fund do t’i kthehet dinjiteti.
Me VLEN, komuna jonë fiton:
Ujë të pijshëm,
Kanalizim modern,
Dhe infrastrukturë dinjitoze.
Garanci për këtë është ky ekip i mrekullueshëm që i është futur betejës për ndryshim në Likovë dhe Qeveria VLEN, e cila tashmë ka dëshmuar se nuk e lë pas dore Likovën e sakrificës.
Me ne komuna jonë fiton!
Koalicion VLEN
Foto: MIA