• e premte, 05 dhjetor 2025

Kandidatët për kryetar të Dibrës uruan një fushatë dinjitoze, një ditë zgjedhjesh të ndershme dhe demokratike

Kandidatët për kryetar të Dibrës uruan një fushatë dinjitoze, një ditë zgjedhjesh të ndershme dhe demokratike

 Dibër, 29 shtator 2025 (MIA) - Kandidatët për kryetar të Komunës së Dibrës, në ditën e parë të fushatës uruan një fushatë dinjitoze dhe një ditë zgjedhjesh të ndershme dhe demokratike në të cilën, siç porositën, "fitues do të jenë qytetarët për një të ardhme më të mirë për të gjithë".

 

"Vizioni ynë është të ndërtojmë një Dibër me zhvillim të qëndrueshëm, infrastrukturë moderne, shërbime komunale digjitale, të rinj që marrin vendime, një mjedis të pastër dhe hapësira të gjelbra. Një komunë që respekton barazinë gjinore, që është në komunikim të vazhdueshëm me qytetarët dhe që bashkëpunon ngushtë me organizatat joqeveritare, shoqatat kulturore dhe artistike, klubet sportive dhe të gjithë faktorët në shoqëri. Pres një fushatë zgjedhore dhe një ditë zgjedhjesh demokratike, për të cilën zotohem", porositi Ilirian Fetahu, kandidat i AKI-t, i cili po e drejton fushatën nën sloganin "Së bashku për Dibrën".

Në mesazh kandidati i VLEN-it, Fisnik Mela, thekson se "Ky është një moment i rëndësishëm për secilin prej nesh, sepse zgjedhjet janë më shumë se një proces formal - ato janë shansi ynë për të përcaktuar të ardhmen e Dibrës". 

 

"Besoj fuqimisht se politika duhet të jetë në shërbim të njerëzve dhe kam një vizion për një komunë që do të drejtohet me transparencë, përgjegjësi dhe dashuri për atdheun. Kjo fushatë do të jetë një shembull i dinjitetit dhe kulturës sonë politike. Zgjedhjet nuk duhet të jenë përçarje, por një mundësi për të dëgjuar njëri-tjetrin, për të krahasuar idetë dhe për të zgjedhur më të mirën për të ardhmen tonë. Mesazhi im është për zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike, ku çdo qytetar do të ndihet i respektuar dhe i përfaqësuar", tha Mela, i cili fushatën po e drejton nën sloganin "Ndryshimi vlen".

Kandidati i pavarur Ramadan Imeri po e drejton fushatën nën sloganin "Një zgjidhje për Dibrën, jo fjalë boshe". 

 

"Sot fushata zgjedhore ka filluar zyrtarisht. Uroj që të gjithë bashkëqytetarët tanë të kenë mundësinë të dëgjojnë idetë dhe programin tonë zhvillimor për Komunën e Dibrës në mandatin katërvjeçar. Jemi të hapur për idetë tuaja, sepse duam që secili prej jush të dëgjohet. Vetëm së bashku mund t'i japim Dibrës atë që meriton vërtet. Ne kemi zgjidhje për Dibrën, jo fjalë boshe. Fushata jonë do të jetë pozitive dhe ju, bashkëqytetarët e mi të respektuar, jini dinjitozë, dëgjoni të gjithë dhe votoni për një Dibër më të mirë, për zgjidhje dhe jo për fjalë boshe, sepse të gjithë e meritojmë këtë", porosit Imeri.

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR