Kanal 12: Netanjahu i premtoi ministrit Smotriç, pas armëpushimit 60 ditor në Gazë, do të kthehet në luftë për ta shkatërruar Hamasin
- Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu disa herë i ka premtuar ministrit të Financave të vendit, Bezalel Smotriç, në takimet e tyre të fundit se, pas një armëpushimi 60-ditor, për të cilin aktualisht po diskutohet në Doha, Izraeli do të vazhdojë luftën kundër lëvizjes palestineze militante Hamas në Gazë, raportoi Kanali 12 izraelit.
- Post By Qefsere Abduli
- 09:00, 14 korrik, 2025
Tel Aviv, 14 korrik 2025 (MIA) - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu disa herë i ka premtuar ministrit të Financave të vendit, Bezalel Smotriç, në takimet e tyre të fundit se, pas një armëpushimi 60 ditor, për të cilin aktualisht po diskutohet në Doha, Izraeli do të vazhdojë luftën kundër lëvizjes palestineze militante Hamas në Gazë, raportoi Kanali 12 izraelit.
„Pas pauzës, do të zhvendosim popullatën nga zona e Rripit të Gazës në jug dhe do të vendosim rrethim (në veri të Gazës)", thuhet se i ka thënë Netanjahu Smotriçit, i cili ka kërkuar garanci nga kryeministri që lufta në Gazë të vazhdojë me fuqi të plotë pas përfundimit të armëpushimit", raporton "Times of Izrael".
Kanali 12 raporton se në takimet pas dyerve të mbyllura, Netanjahu ka prezantuar një plan izraelit për ndarjen e popullsisë civile në Gazë nga Hamasi dhe mbajtjen e saj në pjesën jugore të Rripit të Gazës, për të mundësuar që konflikti të vazhdojë pas armëpushimit të përkohshëm.
Netanjahu e ka siguruar ministrin se do ta përmbushë premtimin e tij, duke theksuar planifikimin e konfliktit të muajit të kaluar me Iranin si shkak për mosplotësimin e pritshmërive të mëparshme të Smotriçit për shkatërrimin e Hamasit.
"Deri tani isha i zënë me Iranin, tani mund të sigurohem se armata i ndjek instruksionet e mia", citoi Kanal 12 Netanjahun.
Smotriçi dhe ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben Guir paralajmëruan se do të tërhiqen nga qeveria nëse arrihet ndonjë marrëveshje për ndalimin e luftës në Gazë ndërkohë që Hamasi është në pushtet.
Të dy ministrat, theksuan, se ishin ftuar në takim me Netanjahun ditët e kaluara, si pjesë e përpjekjeve të vazhdueshme për të arritur një marrëveshje brenda koalicionit qeverisës. qa/
Foto: Arkivi i MIAs