• e martë, 28 janar 2025

Kanë vazhduar sanksionet e BE-së drejt Rusisë dhe është pezulluar regjimi pa viza për funksionarët dhe diplomatët gjeorgjianë

Kanë vazhduar sanksionet e BE-së drejt Rusisë dhe është pezulluar regjimi pa viza për funksionarët dhe diplomatët gjeorgjianë

Bruksel, 27 janar 2025 (MIA) – Këshilli i Punëve të Jashtme të BE-së mori vendime për vazhdimin e masave restriktive ekonomike drejt Rusisë për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës për edhe gjashtë muaj të tjerë, si dhe për shfuqizimin e regjimit pa viza për diplomatët dhe zyrtarët gjeorgjianë. 

Këshilli vendosi t’i vazhdojë sanksionet e BE-së drejt Rusisë deri më 31 korrik 2025 si rezultat i “aktiviteteve të vazhduara të Federatës Ruse me të cilat destabilizohet situata në Ukrainë”. 

Sanksionet ekonomike drejt Rusisë për shkak të “aktiviteteve destabilizuese” ishin vendosur në korrik të vitit 2014 pas okupimit rus dhe aneksimit të gadishullit ukrainas Krime, ndërsa ishin zgjeruar edhe më shumë nga fillimi i agresionit ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Ato aktualisht mbulojnë një gamë të gjerë sanksionesh sektoriale, duke përfshirë kufizimet në tregti, financa, industri, transport dhe transferimin e energjisë, teknologjisë, mallrave me përdorim të dyfishtë dhe mallrave luksoze. Sanksionet gjithashtu ndalojnë importin ose transferimin e naftës së papërpunuar dhe derivateve të caktuara të naftës nga Rusia në BE, bllokojnë operacionet e disa bankave ruse dhe pezullojnë akreditimet e disa mediave të mbështetura nga Kremlini. Gjithashtu, BE-së i mundësohet të marrë masa kundër anashkalimit të sanksioneve.

“Derisa Federata Ruse me aktivitetet e jashtëligjshme vazhdon t’i shkel rregullat themelore të të drejtës ndërkombëtare, veçanërisht ndalesës për përdorimin e forcës, është e përshtatshme të mbeten në fuqi të gjitha masat e vendosura nga BE-ja dhe të ndërmerren aktivitete shtesë, nëse është e nevojshme”, shtohet në vendimin e Këshillit. 

Ministrat e Punëve të Jashtme të Unionin, gjithashtu, morën vendim për pezullimin e dispozitave të Marrëveshjes për lehtësimin e regjimit pa viza ndërmjet BE-së dhe Gjeorgjisë, me çka prej tani diplomatët dhe zyrtarët gjeorgjianë do të duhet të aplikojnë për viza kur udhëtojnë në vendet e bllokut. 

“Të drejtat themelore dhe vlerat demokratike janë parime themelore të integrimit në BE. Zyrtarët të cilët përfaqësojnë vend i cili i shkel këto vlera nuk duhet të kenë përfitime nga qasja e lehtësuar në BE”, porositi ministri polak i Punëve të Brendshme dhe Administratës, Tomash Siemonjak me rastin e vendimit. 

Ky vendim ka të bëjë për anëtarët e delegacioneve zyrtare të Gjeorgjisë që marrin pjesë në takime dhe ngjarje të tjera të mbajtura në territorin e një shteti anëtar të BE-së, për përfaqësuesit e qeverive dhe parlamenteve shtetërore dhe rajonale, për anëtarët e Gjykatave Kushtetuese dhe Supreme të vendit dhe për të gjithë poseduesit e pasaportave diplomatike. Shtetasit e tjerë të Gjeorgjisë që kanë pasaporta të zakonshme do të vazhdojnë të gëzojnë përfitimet e liberalizimit të vizave për qëndrime të shkurtra në BE.

Vendimi është reagim ndaj "Ligjit për transparencën e ndikimit të huaj" dhe paketës legjislative për "vlerat familjare dhe mbrojtjen e të miturve" të miratuar në Gjeorgji vitin e kaluar, të cilat BE beson se minojnë të drejtat themelore të popullit gjeorgjian, duke përfshirë lirinë e shoqërimit dhe e shprehjes, e drejta për privatësi, e drejta për të marrë pjesë në çështjet publike dhe për të rritur stigmatizimin dhe diskriminimin.

“Aktivitetet e ndërmarra nga Gjeorgjia i shkelin parimet themelore mbi të cilat është lidhur marrëveshja për lehtësim dhe janë në kundërshtim me interesat e BE-së dhe vendeve të saja anëtare”, bëhet e ditur në vendim. 

Masa përfaqëson gjithashtu një reagim ndaj "represionit të dhunshëm" nga autoritetet gjeorgjiane kundër protestuesve, politikanëve opozitarë dhe mediave të pavarura, i cili, sipas Këshillit të BE-së, filloi pasi qeveria në Tbilisi njoftoi më 28 nëntor 2024, se nuk do të vazhdojë me hapjen e negociatave me Unionin deri në vitin 2028. fc/

Fotografia: Foreign Affairs Council 

 

QËNDRONI TË LIDHUR