• e premte, 05 dhjetor 2025

Kallas: Zgjedhjet parlamentare në Moldavi ishin konkurruese dhe mirë të organizuara

Kallas: Zgjedhjet parlamentare në Moldavi ishin konkurruese dhe mirë të organizuara

Bruksel, 30 shtator 2025 (MIA) - Gjetjet dhe konkluzat preliminare të OSBE/ODIHR tregojnë se zgjedhjet parlamentare në Moldavi kanë qenë konkurruese, ofruan alternativa të qarta politike dhe të organizuara mirë sipas një kornize të qartë ligjore, theksohet në deklaratën me shkrim nga Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, Kaja Kallas në lidhje me zgjedhjet në vend të mbajtura të dielën.

"Qytetarët e Republikës së Moldavisë ushtruan të drejtën e tyre demokratike për të votuar në zgjedhjet parlamentare. Rezultatet e zgjedhjeve konfirmojnë mbështetjen e vazhdueshme të popullit për të ardhmen evropiane të Republikës së Moldavisë, siç parashikohet në Kushtetutën e saj. Votuesit dhanë një mandat të qartë dhe të fortë për të vazhduar angazhimin e Republikës së Moldavisë për anëtarësim në BE", theksohet në deklaratën e Kallasit të publikuar mbrëmë në emër të Bashkimit Evropian.

Sipas Kallasit, ligji i ri zgjedhor dhe kushtet e parashikuara për të drejtën e kandidatëve për deputetë kanë shkaktuar "disa probleme", por Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka qenë "i hapur për t'i zgjidhur ato".

Kallas thekson gjithashtu në deklaratë se, siç ka vënë në dukje misioni i OSBE/ODIHR, fushata zgjedhore dhe vetë votimi në Moldavi u zhvilluan "në një kontekst ndërhyrjesh dhe presioni të paparë dhe shumëplanësh nga Rusia".

"BE-ja dënon fuqishëm sulmet e vazhdueshme hibride nga Rusia dhe përfaqësuesit e saj që mëtojnë minimin e sundimit të ligjit dhe procesit demokratik në Republikën e Moldavisë dhe nxitjen e destabilizimit dhe polarizimit të vendit përmes përdorimit masiv të dezinformimit, blerjes së votave, sulmeve kibernetike dhe trajnimit të provokatorëve të dhunshëm", deklaron Kallasi.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR