Kallas: Uashingtoni e ndryshoi qëndrimin pas bisedimeve me Rusinë
- – Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas deklaroi se dëshira e Brukselit që të bashkëpunojë me Uashingtonin bazohet në parimet për të cilat gjithmonë është angazhuar SHBA-ja, ndërsa ato janë liria dhe pavarësia, gjegjësisht parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare.
- Post By Fitore Curri
- 11:14, 3 mars, 2025

Uashington, 3 mars 2025 (MIA) – Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas deklaroi se dëshira e Brukselit që të bashkëpunojë me Uashingtonin bazohet në parimet për të cilat gjithmonë është angazhuar SHBA-ja, ndërsa ato janë liria dhe pavarësia, gjegjësisht parimet themelore të të drejtës ndërkombëtare.
Kallas për Bi-Bi-Si deklaroi se BE-ja bashkë me SHBA-në kanë propozuar rezolutë për mbështetje të Ukrainës për të cilën u votua në Kombet e Bashkuara javën e kaluar dhe e cila parasheh tërheqjen e trupave ruse, por se Uashingtoni e ka ndryshuar qëndrimin pas bisedimeve me delegacionin rus dhe ka votuar kundër miratimit të asaj rezolute.
“Ishte një befasi për ne që SHBA-ja papritmas ndryshoi pozicionin e saj. Më duhet, e dini, vërtet të theksoj se së bashku me administratën e re (amerikane), ne përgatitëm një rezolutë në mbështetje të Ukrainës. Por kur u takuan me rusët, atëherë diçka ndodhi, sepse sjellja ndryshoi. Pra, pyetja është se ku më tutje? Vullneti dhe dëshira jonë është të punojmë së bashku me partnerët tanë transatlantikë mbi parimet për të cilat SHBA-ja ka mbrojtur gjithmonë”, tha Kallas.
Ajo javën e kaluar në Kombet e Bashkuara tha se SHBA-ja është harmonizuar me “miqtë e ri” – Rusinë, Bjellorusinë, Sudanin, Korenë e Veriut – në KB sepse ato vende votuan kundër rezolutës për Ukrainën e mbështetur nga BE-ja, e cila kërkon tërheqjen e trupave ruse.
Më 24 shkurt, SHBA-ja votoi kundër rezolutës për Ukrainën në Asamblenë e Përgjithshme të KB-së, duke hedhur poshtë formulimin i cili e akuzon Rusinë për pushtimin e Ukrainës dhe bën thirrje për armëpushim.
Rezolutën e votuan 93 anëtarë, 18 kundër dhe 65 të përmbajtur. fc/
Fotografia: EPA