• e enjte, 27 mars 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Kallas: Për të zmbrapsur agresorin, duhet ta forcojmë mbrojtjen

Kallas: Për të zmbrapsur agresorin, duhet ta forcojmë mbrojtjen

Bruksel, 20 mars 2025 (MIA) - Nëse investojmë mjaftueshëm në mbrojtje dhe nëse forcojmë kapacitetet mbrojtëse, do ta pengojmë agresorin nga sulmet, potencoi përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri para fillimit të Samitit të sotëm të Bashkimit Evropian në Bruksel.

"Nëse nuk e bëjmë këtë, dobësia e fton agresorin të na sulmojë. Prandaj duhet të bëjmë më shumë që mos të lejojmë të ndodhë kjo", shtoi Kallas.

Ajo theksoi se përshëndet paralajmërimin e presidentit amerikan Tramp se SHBA-ja po përpiqet të sigurojë mbrojtje shtesë ajrore për Ukrainën, duke shtuar se kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme, prandaj në Samitin e sotëm do të diskutohet për atë se çfarë mund të bëjë më shumë BE për të mbështetur Kievin, por edhe për mbrojtjen e saj.

"Nëse dëgjoni deklaratat e liderëve, atëherë mbështetja është e madhe dhe kjo duhet parë me vepra, me shifra, me municione reale që i duhen Ukrainës. Kështu që me të vërtetë shpresoj se ne mund ta çojmë këtë përpara", tha Kallas, duke shtuar se nëse liderët e BE-së kanë rezerva për marrjen e angazhimeve afatgjata, atëherë duhet të marrin vendime në afat të shkurtër për nevojat e menjëhershme të Ukrainës.

Ajo kujton se propozoi një iniciativë për mbështetje ushtarake për Ukrainën e cila si[ tha në masë të madhe është në përputhje me kërkesën e presidentit të Ukrainës, Volodimir Zelenskit, për municione me vlerë pesë miliardë euro.

"Duhet të fillojmë me hapa konkretë, jo vetëm me fjalë, por me të vërtetë duke ndihmuar Ukrainën, sepse sa më e fortë të jetë në fushën e betejës, aq më e fortë do të jetë në tryezën e negociatave", tha Kallas, duke shtuar se me padurim pret të dëgjojë nga Zelenski përshtypjet e tij nga biseda e djeshme me Trampin.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së shtoi dhe se në Samit do të diskutohet edhe për konkurrueshmërinë dhe nevojën për rritjen e investimeve në mbrojtje, si dhe për Librin e bardhë për mbrojtjen evropiane, që dje u prezantua nga Komisioni Evropian.

"Do të diskutojmë elementet në të. Në Samitin e para dy jave kemi diskutuar opsionet për financim, ndërsa tani do të diskutojmë për atë se si mund ta bëjmë atë së bashku", theksoi Kallas. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR