Kallas: Duhet ta rrisim presionin ndaj Rusisë për ta detyruar të dakordohet për paqe
- Nëse Rusia nuk pajtohet për armëpushim të plotë dhe pa kushte në Ukrainë, atëherë Bashkimi Evropian do të rrisë presionin mbi të, deklaroi sot Përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, Kaja Kallas pas arritjes në Këshillin e punëve të jashtme në Bruksel.
- Post By Fami Bajrami
- 11:35, 20 maj, 2025
Bruksel, 20 maj 2025 (MIA) - Nëse Rusia nuk pajtohet për armëpushim të plotë dhe pa kushte në Ukrainë, atëherë Bashkimi Evropian do të rrisë presionin mbi të, deklaroi sot Përfaqësuesja e lartë e BE-së për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, Kaja Kallas pas arritjes në Këshillin e punëve të jashtme në Bruksel.
“Sot do të merremi vesh për pakon e 17-të të sanksioneve, por vazhdojmë të punojmë për pakon e ardhshme të fortë të sanksioneve për të ushtruar më shumë presion mbi Rusinë në mënyrë që edhe ajo të dakordohet për paqen”, ka thënë Kallas, duke shtuar se të gjitha 27 vendet anëtare të BE-së janë unanimë se duan armëpushim të plotë dhe pa kushte për të cilin Ukraina ka rënë dakord më shumë se 60 ditë më parë.
Kallas theksoi se BE-ja pret të njëjtën gjë nga SHBA të cilat kanë njoftuar se Rusia do të përballet me pasoja nëse nuk pranon armëpushim pa kushte, kështu që Unioni pret të shohë hapat e mëtejshëm të Uashingtonit, pasi nuk ka zgjidhje tjetër veçse të ushtrojë presion më të madh ndaj Moskës.
Ajo theksoi se Këshilli i sotëm do të paraqesë gjithashtu një raport të inteligjencës mbi situatën reale në ekonominë ruse, si rezultat i efektit të sanksioneve që sipas saj do të jenë edhe më të mëdha muajt në vazhdim.
"Rusët duan që të mendojmë se sanksionet nuk po funksionojnë, se po na dëmtojnë më shumë neve, se sa dëmtojnë ata vetë. Kjo nuk është e vërtetë dhe e shohim këtë nga raportet e inteligjencës. Ata janë shumë të mirë në propagandë, gjithmonë kanë qenë dhe duhet ta kemi këtë parasysh. Por shohim se në fakt nuk po ecë aq mirë", ka thënë Kallas.
Kallas ka thënë poashtu se Holanda ka propozuar një rishikim të Marrëveshjes së Asociimit midis BE-së dhe Izraelit në kontekstin e ndodhive në Gazë, por siç theksoi, "ende nuk mund të parashikojë rezultatin e diskutimit mbi këtë çështje".
Ajo theksoi se gjëja më e rëndësishme tani është që ndihma humanitare të arrijë tek popullsia e Gazës duke përshëndetur vendimin e Izraelit për ta lejuar të hyjë në Gazë, por siç tha ajo, "kjo nuk është e mjaftueshme".
"Ka mijëra kamionë në kufi që presin të futen brenda. Janë para evropiane me të cilat është financuar kjo ndihmë humanitare dhe ajo duhet të arrijë te njerëzit, sepse situata është jashtëzakonisht serioze", ka thënë Kallasi.
Ajo shprehu shpresën se ministrat do të bien dakord gjithashtu për të hequr sanksionet ekonomike ndaj Sirisë, pavarësisht shqetësimeve nëse Qeveria kalimtare siriane "shkon në drejtimin e duhur", sepse, siç tha ajo, “nëse nuk ndihmohet populli sirian dhe nuk i jepet mundësia për të stabilizuar vendin, atëherë mund të përballemi me një situatë si ajo që kemi në Afganistan”.
Foto: arkivi i MIA-s