Kallas: Nëse lëshojmë para agresorit, do të inkurajojmë luftëra të reja
- Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën dhe sigurinë e jashtme, Kaja Kallas paralajmëroi se kontaktet diplomatike midis SHBA-së dhe Rusisë tregojnë se Moska nuk heq dorë nga synimet e saja territoriale në Ukrainë, gjë që dërgon një sinjal të rrezikshëm.
- Post By Fami Bajrami
- 08:44, 21 shkurt, 2025

Bruksel, 21 shkurt 2025 (MIA) - Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën dhe sigurinë e jashtme, Kaja Kallas paralajmëroi se kontaktet diplomatike midis SHBA-së dhe Rusisë tregojnë se Moska nuk heq dorë nga synimet e saja territoriale në Ukrainë, gjë që dërgon një sinjal të rrezikshëm.
Gjatë takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të G-20 në Republikën e Afrikës së Jugut, Kallas theksoi se presidenti Donald Tramp me vendimin e tij për të negociuar drejtpërdrejt me Rusinë pa përfshirë Ukrainën ka shqetësuar partnerët evropianë.
"Është e qartë nga këto kontakte se Rusia nuk ka hequr dorë nga synimet e saj", deklaroi Kalas. "Ata duan të marrin maksimumin dhe akoma më shumë. Nëse i japim gjithçka agresorit, kjo u jep një sinjal të gjithë agresorëve në botë se mund të bëjnë të njëjtën gjë", potencoi Kallas.
Ajo potencoi se disa vende janë shumë të fokusuara në ndërmjetësim, në vend që të bëjnë presion politik dhe ekonomik ndaj Rusisë për të ndaluar luftën.
Tramp të mërkurën e quajti presidentin ukrainas Volodimir Zelenskin "diktator" dhe i kërkoi atij të pranonte një marrëveshje paqeje me Rusinë, duke paralajmëruar se përndryshe ai rrezikonte të humbë vendin e tij.
"Çështja kyçe e cila shpesh injorohet është se Rusia nuk dëshiron paqe", porositi Kallas.
Ajo shtoi se është herët të flitet për dërgimin e trupave paqeruajtëse në Ukrainë përpara se të arrihet një armëpushim, temë që u diskutua mes liderëve evropianë në Paris këtë javë.
Ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, Dejvid Lami, deklaroi se "nuk sheh asnjë gatishmëri" nga ana e Moskës për paqe pasi që dëgjoi bisedën e ministrit të Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergej Lavrov në takimin në Johanesburg.
"Patjetër ta them, pasi që kam dëgjuar rusët dhe Lavrovin sot, nuk shoh ndonjë dëshirë të vërtetë për paqe", deklaroi Lami. rq/
Foto: EPA