Kalas në Izrael: Duhet të përfundojë vuajtja në Rripin e Gazës
- Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kalas, mbrëmë pas mbërritjes në Izrael deklaroi se duhet të përfundojë vuajtja në Rripin e Gazës.
- Post By Qefsere Abduli
- 08:43, 24 mars, 2025

Jerusalem, 24 mars 2025 (MIA) - Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kalas, mbrëmë pas mbërritjes në Izrael deklaroi se duhet të përfundojë vuajtja në Rripin e Gazës.
Kaja Kalas tha se do të kërkojë një "kthim urgjent" të marrëveshjes për armëpushim për të ndaluar "shkatërrimin e Rripit të Gazës".
"Ofensiva ushtarake izraelite shkaktoi një humbje të tmerrshme jetësh. Për sa kohë kjo luftë vazhdon, të dyja palët do të humbasin. Izraeli ka të drejtë të mbrohet, por duhet të respektojë jetën e civilëve dhe ligjin humanitar. Kërcënimet për aneksimin e pjesëve të Rripit të Gazës janë të papranueshme", shtoi ajo.
Përfaqësuesja e lartë e BE-së tha se në bisedimet me përfaqësuesit izraelitë dhe palestinezë do të theksojë nevojën për negociata urgjente.
"Të gjithë pengjet duhet të lirohen menjëherë. Vuajtjet duhet të marrin fund. Shkatërrimi i Gazës vetëm nxit radikalizimin", shtoi ajo.
Ajo sot në Izrael do të takohet me presidentin Isak Hecog, ministrin e Punëve të Jashtme, Gideon Sar dhe me liderin e opozitës Jair Lapid.
Nga pala palestineze, Kaja Kalas do të bisedojë me presidentin Mahmud Abas dhe me kryeministrin Muhamed Mustafa. qa/
Foto: EPA