• e diel, 19 janar 2025

Kalas: Duam të shohim përparim në procesin e zgjerimit të BE-së

Kalas: Duam të shohim përparim në procesin e zgjerimit të BE-së

Bruksel, 18 dhjetor 2024 (MIA) - Ballkani Perëndimor është shumë i rëndësishëm për Bashkimin Evropian, sepse gjeografikisht i përket Evropës dhe prandaj është shumë e rëndësishme që të përmirësohen marrëdhëniet tona, tha Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, Kaja Kalas gjatë mbërritjes në Samitin BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel.

"Sot ne nënshkruam një marrëveshje për partneritet në siguri dhe mbrojtje me Shqipërinë. Tashmë e kemi lidhur një marrëveshje të tillë edhe me Maqedoninë e Veriut, kështu që ka shumë hapësirë ​​për bashkëpunim", tha Kalas.

Ajo tregoi se në Samit do të diskutohen disa aspekte të bashkëpunimit me rajonin, përfshirë edhe Planin e Rritjes, duke theksuar se Komisioni Evropian dhe ajo personalisht dëshirojnë të shohin progres në procesin e zgjerimit në pesë vitet e ardhshme të mandatit të tyre.

Kalas shtoi se gjatë darkës së punës do të diskutohet për aktivitetet hibride ruse dhe për luftën në Ukrainë.

"Unë shoh që ka dëshirë për disa zgjidhje të shpejta, por në një situatë si kjo kur Rusia nuk dëshiron paqe, është problem. Në mënyrë që të kemi zgjidhje më të mira, ne duhet të mbështesim Ukrainën me aq sa mundemi. Sa më e fortë të jetë në fushën e betejës, aq më e fortë do të jetë në tryezën e negociatave, gjë që është edhe në interes të Europës", shtoi Kalas.

Ajo gjithashtu theksoi se BE-ja vazhdimisht përballet me kërcënime nga Rusia, me të cilat ajo dëshiron ta frikësojë, por se e vetmja përgjigje për këtë duhet të jetë se Unioni nuk ka frikë.

Sa i përket Sirisë, Kalas theksoi se BE-ja do të punojë me partnerët e saj në rajonin e Lindjes së Afërt, si dhe me Turqinë dhe SHBA-në, në mënyrë që zhvillimet në këtë vend të zhvillohen në drejtimin e dëshiruar. ls/

Foto: Skrinshot

 

QËNDRONI TË LIDHUR