Kaja Kallas: Nuk do të tolerojmë kurrfarë kërcënimesh për sigurinë e Bosnjës e Hercegovinës
- – Përfaqësuesja e lartë për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, Kaja Kallas mbërriti për vizitë në Bosnjë e Hercegovinë, njoftoi redaksia boshnjake e televizionit N1.
- Post By Fitore Curri
- 19:11, 8 prill, 2025

Sarajevë, 8 prill 2025 (MIA) – Përfaqësuesja e lartë për punë të jashtme dhe politikë të sigurisë, Kaja Kallas mbërriti për vizitë në Bosnjë e Hercegovinë, njoftoi redaksia boshnjake e televizionit N1.
Kallas e vizitoi bazën e EUFOR në Sarajevë, i falënderoi ushtarët e misionit “Altea” dhe dërgoi porosi të qarta dhe të fuqishme, se misioni është shumë i rëndësishëm dhe se kjo bazë e përfaqëson vendin ku është lindur politika e sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së me mandat të KB-së.
“Në një kohë kur fokusi ynë është kryesisht te siguria dhe mbrojtja, operacioni ‘Altea’ i EUFOR-it është edhe më shumë në qendër të vëmendjes. Ju e dini më mirë se shumë persona se çfarë nevojitet për të ruajtur paqen dhe sigurinë në kohëra të rrezikshme. Ju e dini se arritja e paqes kërkon përpjekje diplomatike, por ruajtja e saj kërkon forcë. Kjo është arsyeja pse ushtritë evropiane, së bashku me ushtritë e vendeve të tjera, kanë mbështetur Bosnjën dhe Hercegovinën në ruajtjen e një mjedisi të sigurt për 30 vjet”, tha Kallas.
Ajo theksoi se situata e sotme e sigurisë është qëndrueshme, por edhe e brishtë.
“Jemi në një periudhë kur vendi po përballet me një krizë të rëndë kushtetuese, ndërsa udhëheqësia e Republikës Srpska po cenon rendin kushtetues dhe juridik, duke kërcënuar liritë themelore të të gjithë qytetarëve. Kjo sjellje është në kundërshtim me angazhimet që Bosnja dhe Hercegovina ka marrë në rrugën e saj evropiane. Ne nuk do të tolerojmë asnjë kërcënim ndaj integritetit territorial, sovranitetit dhe rendit kushtetues të Bosnjës dhe Hercegovinës. Çdo përpjekje për të shkatërruar shtetin është e papranueshme”, nënvizoi Kallas.
Ajo përkujtoi se në mars ishin dislokuar edhe 100 pjesëtarë të forcave të EUFOR si pjesë e këtij operacioni, duke theksuar se kjo është bërë që të dërgohet porosi e qartë: “BE-ja mbetet fuqishëm e përkushtuar në qëndrueshmërinë e këtij rajoni dhe sigurinë e Bosnjës e Hercegovinës”.
Kallas paralajmëroi se javën e ardhshme ministrat e punëve të jashtme të BE-së do të shqyrtojnë mundësi për angazhim edhe më të fuqishëm në Bosnjë e Hercegovinë dhe në gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Vizita e Kaja Kallas vjen në kushte të krizës politike në Bosnjë, ku në shkurt Gjykata e Bosnjës e Hercegovinës në shkallë të parë e dënoi liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodik, në një vit burg dhe gjashtë muaj ndalesë për veprimtari politike për shkak të mosrespektimit të vendimeve të përfaqësuesit të lartë të bashkësisë ndërkombëtare në BeH.
Prokuroria e Bosnjës ka lëshuar një urdhër arresti për Dodikun, si dhe për kryeministrin e Republikës Srpska dhe kryetarin e parlamentit të këtij entiteti. Ata dyshohen për "sulm ndaj rendit kushtetues" pasi parlamenti i Republikës Sërpska miratoi, ndërsa Dodik nënshkroi një dekret që miraton ligje që ndalojnë funksionimin e institucioneve federale gjyqësore dhe të sigurisë në territorin e Republikës Sërpska.
Sipas kushteve të Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, e cila i dha fund luftës ndëretnike në Bosnje (1992–1995), vendi ndahet në dy njësi gjysmë autonome: Republika Sërpska, e banuar kryesisht nga serbët e Bosnjës, dhe Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës (federatë myslimane-kroate) e banuar nga myslimanë boshnjakë myslimanë dhe boshnjakë kroatë. Çdo njësi ka qeverinë, parlamentin dhe policinë e saj, por të dyja janë të lidhura nëpërmjet institucioneve të përbashkëta shtetërore, duke përfshirë sistemin gjyqësor, ushtrinë, shërbimet e sigurisë dhe administratën tatimore. fc/
Foto: Arkivi