• e premte, 05 dhjetor 2025

Ka vdekur një vajzë shtatë vjeçare në Spitalin e Tetovës

Ka vdekur një vajzë shtatë vjeçare në Spitalin e Tetovës

Tetovë, 22 shtator 2025 (MIA) - Ka ndërruar jetë një vajzë shtatë vjeçare e cila ishte në mjekim në Spitalin klinik të Tetovës, informuan sot nga institucioni publik shëndetësor i Tetovës. Vajza nga fshati Çellopek i Tetovës u pranua në Departamentin e pediatrisë të shtunën në orën 20:40, ndërsa vdiq të dielën. 

"Pacientja u pranua në repartin e pediatrisë më 20.09.2025 në orën 20:40 të mbrëmjes dhe menjëherë u morën të gjitha masat e nevojshme në përputhje me protokollet mjekësore në fuqi me qëllim përcaktimin e diagnozës së saktë. Nga momenti i pranimit, u morën të gjitha masat e nevojshme mjekësore të përshtatshme për gjendjen e saj shëndetësore, duke përfshirë rehidratimin intensiv në përputhje me udhëzimet profesionale dhe klinike", informojnë nga Spitali klinikë. 

Me qëllim të trajtimit të mëtejshëm u kërkua ndihmë nga Departamenti i otorinolaringologjisë (ORL) për ndërhyrje shtesë. 

"U kërkua ndihmë nga departamenti i ORL-së për të thithur sekrecione nga zgavra orale. Fatkeqësisht, gjatë ndërhyrjes, pacientja nuk dha shenja reagimi, pas çka u transferua urgjentisht në Departamentin e anestezisë, reanimacionit dhe kujdesit intensiv ku u morën të gjitha masat e reanimacionit. Pavarësisht përpjekjeve më të mira të ekipit mjekësor pacientja vdiq", kumtuan nga Spitali klinik i Tetovës. 

Me qëllim transparencë të plotë dhe për të sqaruar shkaqet e vdekjes, spitali kërkoi kryerjen e autopsisë mjeko-ligjore. 

"Megjithatë, deri në këtë moment, familja e pacientes ka shprehur kundërshtimin e saj për kryerjen e autopsisë. Shprehim ngushëllimet tona të sinqerta dhe dhembjen e thellë familjes në këto momente jashtëzakonisht të vështira dhe tragjike", theksohet në kumtesën e Spitalit klinik në Tetovë. 

Nga spitali thotë se është i gatshëm të bashkëpunojë me institucionet kompetente për çdo sqarim shtesë në lidhje me këtë rast. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR