• e diel, 22 dhjetor 2024

Ka përfunduar votimi për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Turqi

Ka përfunduar votimi për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare në Turqi

Ankara, 14 maj 2023 (MIA) – Vendvotimet në Turqi janë mbyllur sot në orën 17 sipas orës lokale me çka ka përfunduar votimi për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, njofton Agjencia Anadollu.

Votuesit që ndodhen në qendrat e votimit në momentin e mbylljes do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre qytetare edhe pas orës 17 siç kishte njoftuar më parë Komisioni i Lartë i Zgjedhjeve në Turqi.

Qytetarët e Turqisë sot votuan në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare dhe zgjodhën mes tre kandidatëve presidencial dhe 24 partive politike si dhe 151 kandidatëve të pavarur për parlamentin i cili ka gjithsej 600 vende deputetësh.

Të drejtë vote kanë 64,11 milionë njerëz, ndërsa për herë të parë do të votojnë mbi 4,9 milionë qytetarë turq.

Presidenti aktual Rexhep Tajip Erdogan, pastaj Muharem Inxhe, Kemal Kiliçdaroglu dhe Sinan Ogan, sipas renditjes së fletëvotimit, janë kandidatët për president të Turqisë.

Qendrat e votimit janë hapur edhe jashtë Turqisë, në 75 shtete dhe 156 përfaqësi të vendit.

Votimi në pikat kufitare filloi më 27 prill, ndërsa në përfaqësitë diplomatike më 5 maj dhe zgjati deri më 9 maj, sipas planit të përcaktuar më parë.

Më shumë se 3.41 milionë qytetarë janë regjistruar për të votuar jashtë vendit.

Siç njoftoi Komisioni i Lartë i Zgjedhjeve në Turqi, rezultatet jo të plota dhe jozyrtare do dihen sonte, në orët e para pas mbylljes së vendvotimeve.

Foto: DPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR