• e diel, 22 dhjetor 2024

Këshilli Prokurorial i Kosovës: Qeveria me ligjin e ri dëshiron ta kapë dhe dirigjojë KPK-në e prokurorin e shtetit

Këshilli Prokurorial i Kosovës: Qeveria me ligjin e ri dëshiron ta kapë dhe dirigjojë KPK-në e prokurorin e shtetit

Prishtinë, 15 korrik 2024 (MIA) - Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) vlerësoi se Qeveria e Kosovës ka për qëllim ta bëjë "të kundërtën e reformës" dhe ta "bllokojë defunksionalizimin e sistemit prokurorial", pasi Kuvendi javën e kaluar miratoi një ligj të ri për KPK-në, informon korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) në një reagim dërguar mediave, ka theksuar se Qeveria e Kosovës në "vazhdimësi ka injoruar dhe refuzuar komentet, sugjerimet dhe propozimet e përfaqësuesve të deleguar të KPK-së në grupet punuese, të formuara nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe në komisionet e Kuvendit të Republikës së Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit të ri për KPK-në, i cili është miratuar më 11 korrik 2024". 

"Kjo praktikë e njëanshme e miratimit të akteve ligjore, tregon qartazi se Qeveria e Kosovës dhe shumica në Kuvendin e Kosovës, me vetëdije dhe në emër të reformave, synojnë të bëjnë të kundërtën e reformës, pra bllokimin dhe defunksionalizimin e sistemit prokurorial”, thuhet në reagim.

Miratimi i këtij ligji, sipas KPK-së, paraqet "një lloj absurditeti të llojit të rrallë".

"KPK-ja thekson se miratimi i këtij ligji përbën mosrespektim dhe shkelje të hapur të parimeve kryesore të Deklaratës së Përbashkët të Zotimit, që, në vetvete, paraqet një lloj absurditeti të llojit të rrallë, ngaqë përbërja e Ekzekutivit aktual, gjegjësisht, Ministria e Drejtësisë, nuk po arrin assesi të shmangë qëndrimet politike në raport me sistemin prokurorial, duke mos përfillur sugjerimet e shumanshme dhe duke rënë në kundërshtim jo vetëm me kërkesat e bazuara të përfaqësuesve të KPK-së, por edhe me kërkesat dhe rekomandimet e përfaqësuesve të Bashkimit Evropian dhe organizatave vendore dhe ndërkombëtare", thuhet në reagimin e KPK-së.

Këshilli Prokurorial shprehu mirënjohjen për përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe ata të shoqërisë civile që "u vunë në mbrojtje të këtyre parimeve dhe insistuan me ngulm që Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës të mos injorojnë rekomandimet e institucioneve vendore, Bashkimit Evropian, Këshillit të Evropës dhe OSBE-së sa i përket Projektligjit për Këshillin Prokurorial".

"Me këtë rast, KPK-ja është bashkuar plotësisht me thirrjet dhe apelet kuptimplota për respektimin e normave dhe standardeve evropiane para miratimit të këtij ligji dhe ligjeve të tjera në Kuvend, duke kritikuar ashpër qasjen e pushtetit lidhur me cenimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese të vendit, siç është KPK-ja", thuhet në kumtesë, në të cilën KPK vlerëson se "tendenca e Qeverisë paraqet ndërhyrje rigoroze në sistemin prokurorial dhe në tërë sistemin e drejtësisë". fc/

QËNDRONI TË LIDHUR