• e premte, 05 dhjetor 2025

Këshilli i Sigurimit i KB-së nuk e miratoi draft-rezolutën për heqjen e përhershme të sanksioneve kundër Iranit

Këshilli i Sigurimit i KB-së nuk e miratoi draft-rezolutën për heqjen e përhershme të sanksioneve kundër Iranit

Nju - Jork, 19 shtator 2025 (MIA) - Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara sot dështoi të miratojë një draft-rezolutë për heqjen e përhershme të sanksioneve kundër Iranit, por Teherani dhe fuqitë kryesore evropiane kanë ende tetë ditë kohë për të provuar të bien dakord për shtyrjen e tyre, raportuan mediat britanike.

Këshilli i Sigurimit i KB-së me 15 anëtarë duhej të votonte për draft-rezolutën sot, pasi Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania më 28 gusht aktivizuan një mekanizëm 30-ditor për të rivendosur sanksionet e KB-së, duke akuzuar Teheranin për shkelje të një marrëveshjeje të vitit 2015 me fuqitë botërore që synonte ta parandalonte atë nga zhvillimi i armëve bërthamore.

Rusia, Kina, Pakistani dhe Algjeria votuan në favor të draft-rezolutës, nëntë anëtarë votuan kundër dhe dy abstenuan.

Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, të cilat përbëjnë grupin E3, kanë aktivizuar procesin 30-ditor për të rivendosur sanksionet e KB-së ndaj Iranit, duke vendosur kushte që Teherani duhet të përmbushë në shtator për t'i bindur ata të pezullojnë mekanizmin e sanksioneve.

Oferta e E3 është të shtyjë rivendosjen e sanksioneve deri në gjashtë muaj për të lejuar negociata serioze nëse Irani rifiton aksesin te inspektorët bërthamorë të Kombeve të Bashkuara për të vlerësuar rezervat e tij të uraniumit të pasuruar, dhe Teherani duhet të fillojë gjithashtu bisedime me SHBA-në. sa/

foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR