Këshilli i BE-së mirëpret progresin e Shqipërisë në sundimin e ligjit dhe rolin e SPAK-ut, bën thirrje për reforma gjithëpërfshirëse zgjedhore
- Brukseli e mbështet ambicien e Shqipërisë për mbylljen e negociatave, teksa e përgëzon Tiranën zyrtarë për përparimin e deritanishëm. Një dokument i Këshillit të Bashkimit Evropian thotë se e rëndësishme është garantimi i pavarësisë së drejtësisë ndërsa inkurajon Prokurorinë e Posaçme të punojë për rekorde të tjera në fushën korrupsionit dhe krimit të organizuar.
- Post By Fami Bajrami
- 16:46, 17 dhjetor, 2025
Tiranë, 17 dhjetor 2025 (MIA)- Brukseli e mbështet ambicien e Shqipërisë për mbylljen e negociatave, teksa e përgëzon Tiranën zyrtarë për përparimin e deritanishëm. Një dokument i Këshillit të Bashkimit Evropian thotë se e rëndësishme është garantimi i pavarësisë së drejtësisë ndërsa inkurajon Prokurorinë e Posaçme të punojë për rekorde të tjera në fushën korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Avancimi i Shqipërisë me negociatat dhe reformat në rrugën drejt integrimit është përgëzuar nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian, të cilët e nxitin Tiranën të avancojë me sundimin e ligjit, gjë që do t'i lejonte vendit të fillonte mbylljen provizore të kapitujve negociues.
“Këshilli mirëpret progresin e rëndësishëm të arritur nga Shqipëria, i cili ka çuar në hapjen e të gjitha grupeve negociuese. Këshilli mirëpret planin ambicioz të qeverisë për mbylljen me sukses të negociatave të pranimit dhe inkurajon të gjitha forcat politike dhe palët e interesuara të shtojnë përpjekjet e tyre dhe të punojnë së bashku për të siguruar progres të mëtejshëm”, thuhet në raport, njofton Top Çanel.
Gjyqësorit thotë Këshilli i BE-së, përfshirë edhe SPAK-ut duhet t’i garantohet pavarësi nga ndërhyrjet e brendshme e të jashtme, ndërsa prokurorinë e posaçme e inkurajon për rezultate edhe më te mira.
“Me rëndësi është pavarësia e gjyqësorit, duke përfshirë Strukturën e Specializuar për Antikorrupsionin dhe Krimin e Organizuar (SPAK), dhe të forcimit të mëtejshëm të qëndrueshmërisë së sistemit të drejtësisë kundër ndërhyrjeve të brendshme ose të jashtme. Këshilli gjithashtu kujton rëndësinë që Shqipëria të sigurojë mbrojtje efektive gjyqësore dhe zbatim të vazhdueshëm të vendimeve gjyqësore. Këshilli mirëpret progresin që Shqipëria ka bërë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe e fton atë të ndërtojë më tej mbi një rekord të fortë dhe të forcojë kapacitetet e saj”, thuhet në raport.
Zgjedhjet e 11 majit, Këshilli i ka konsideruar konkurruese, teksa bën thirrje për hartimin e një reforme të re zgjedhore për të adresuar problemet sipas rekomandimeve të OHDIR.
“Duke pasur parasysh këtë, këshilli bën thirrje për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe në kohë, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe të Komisionit të Venecias”, thuhet në raport.
Dokumenti u publikua si konkluzione të presidencës daneze të Këshillit, për shkak të vetos që vendosi Hungaria e cila nuk ishte dakord me përfundimet për Ukrainën. Përveç Kievit Këshilli i Çështjeve të Përgjithshme, dy ditë para samitit të liderëve të Unionit, publikoi konkluzionet edhe për çdo vend tjetër kandidat, bashkë me angazhimin që zgjerimi është një realitet i prekshëm.