• e martë, 28 janar 2025

Këshilli Evropian me rastin e Ditës së përkujtimit të holokaustit: Diskriminimi, intoleranca, racizmi dhe ksenofobia kërcënojnë shoqëritë demokratike

Këshilli Evropian me rastin e Ditës së përkujtimit të holokaustit: Diskriminimi, intoleranca, racizmi dhe ksenofobia kërcënojnë shoqëritë demokratike

Bruksel, 27 janar 2025 (MIA) – Me shënimin e Ditës ndërkombëtare të përkujtimit të holokaustit, në 80-vjetorin e çlirimit të kampit nazist të përqendrimit Aushvic-Birkenau ku u vranë 1.1 milionë njerëz, kujtojmë tmerret e paprecedentë të holokaustit, thanë anëtarët e Këshillit Evropian në një deklaratë të përbashkët me rastin e Ditës ndërkombëtare të përkujtimit të holokaustit - 27 janar.

"Më shumë se kurrë, është thelbësore të mbajmë përgjegjësinë tonë për të nderuar viktimat e holokaustit. Ne jemi të vendosur të luftojmë antisemitizmin dhe të mbrojmë dhe ushqejmë jetën hebreje në Evropë. Dënojmë të gjitha format e diskriminimit, intolerancës, racizmit dhe ksenofobisë dhe do të ndërmarrim veprime vendimtare për tu përballur me këto kërcënime ndaj shoqërive demokratike", thuhet në deklaratë.

Këshilli Evropian gjithashtu thekson se sot jemi dëshmitarë të një rritjeje të paprecedentë të antisemitizmit në Evropë e paparë që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Dënojmë ashpër rritjen alarmante të incidenteve të dhunshme antisemite, mohimin dhe shtrembërimin e holokaustit, si dhe teoritë e konspiracionit dhe paragjykimet kundër hebrenjve”, shtohet në deklaratë.

Sipas anëtarëve të Këshillit të Evropës, respektimi i dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barazisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut, duke përfshirë lirinë e shprehjes dhe besimit, si dhe të drejtat e personave që u përkasin pakicave, "duhet dhe do të udhëheq veprimet tona në çdo kohë, në përputhje me vlerat mbi të cilat është themeluar Bashkimi Evropian dhe që janë të përbashkëta për të gjithë ne”.

“Kurrë më” është tani, shtohet në deklaratën e anëtarëve të Këshillit Evropian me rastin e Ditës ndërkombëtare të përkujtimit të holokaustit.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR