Kërcënim nga deputeti iranian: Mund të godasim me raketa Nju Jorkun, Uashingtonin, gjithë Evropën
- Raketat iraniane janë në gjendje të godasin zemrën e Evropës dhe se në të ardhmen mund të shënjestrojnë qytete amerikane nga deti, kërcënoi deputeti iranian. Deklarata vjen në një kohë kur tensionet ndërkombëtare po rriten dhe ekziston mundësia që KB-ja të rivendosë sanksione ndaj Iranit, raporton "Iran Interneshnall".
- Post By Qefsere Abduli
- 13:17, 22 gusht, 2025
Teheran, 22 gusht 2025 (MIA) - Raketat iraniane janë në gjendje të godasin zemrën e Evropës dhe se në të ardhmen mund të shënjestrojnë qytete amerikane nga deti, kërcënoi deputeti iranian. Deklarata vjen në një kohë kur tensionet ndërkombëtare po rriten dhe ekziston mundësia që KB-ja të rivendosë sanksione ndaj Iranit, raporton "Iran Interneshnall".
Amir Hajat-Mokadam, anëtarë i Komitetit parlamentar për Siguri Kombëtare dhe Politikë të Jashtme, bëri disa deklarata të forta lidhur me kapacitetet ushtarake të vendit të tij në një intervistë për portalin "Didban Iran". "Ndoshta raketa jonë e ardhshme do të godasë direkt Uashingtonin. Mundemi të shënjestrojmë Amerikën nga deti, Forcat ajrore të Gardës Revolucionare Islamike(IRGC) kanë punuar për më shumë se 20 vjet për të mundësuar një sulm ndaj Amerikës nga anijet iraniane. Edhe nëse nuk e kemi arritur ende këtë teknologji, ajo është brenda mundësive tona", tha ai.
Ai shtoi se anijet iraniane mund të afrohen deri në 2.000 kilometra nga brigjet amerikane dhe të lëshojnë raketa prej andej drejt qyteteve si Uashingtoni dhe Nju Jorku, dhe pavarësisht faktit se SHBA-ja është distancë prej 10.000 kilometrash nga Irani.
“Edhe tani, të gjitha vendet evropiane janë në rrezen tonë. Me raketat tona ekzistuese, mund të godasim Francën, Gjermaninë, Mbretërinë e Bashkuar, dhe gjithë Evropën Perëndimore dhe Lindore”, shtoi Hajat-Mokadam.
Kërcënimet vijnë në kohën kur Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania po shqyrtojnë mundësinë për rivendosje të sanksioneve të KB-së ndaj Iranit, përmes të ashtuquajturit mekanizëm "snepbek". Përfaqësuesti evropian e paralajmërojnë Teheranin se kjo mund të ndodhë këtë vjeshtë nëse nuk bashkëpunon plotësisht me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (ANEB). qa/
Foto: EPA