• e premte, 05 dhjetor 2025

Jermak u takua me Uitkofin në Nju-Jork

Jermak u takua me Uitkofin në Nju-Jork

Kiev, 29 gusht 2025 (MIA) - Shefi i kabinetit të presidentit ukrainas Volodimir Zelenskit, Andrij Jermak, sot konfirmoi se ka folur me të dërguarin e posaçëm amerikan, Stiv Uitkof, për sulmin e fundit rus në Kiev ku u vranë 23 persona dhe nevojën për të ushtruar presion ndaj Moskës për të arritur paqe.

"Ne jemi të hapur për negociata të drejtpërdrejta në nivel të liderëve dhe jemi të gatshëm të diskutojmë gamën më të gjerë të çështjeve. Besojmë se presioni global është i nevojshëm për të siguruar që Rusia është vërtet e përgatitur të ecë drejt paqes dhe veçanërisht, të mbajë takime jashtëzakonisht të rëndësishme të liderëve për këtë qëllim", shkroi Jermak në publikimin në Iks, pas takimit në Nju-Jork.

Prioriteti kryesor është avancimi i diplomacisë së vërtetë dhe sigurimi i zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura në samitin e Uashingtonit, beson Jermak dhe shtoi se Ukraina po koordinon përpjekjet e saj.

Ai e informoi Uitkofin "për krimet e luftës që Rusia po kryen çdo ditë kundër qyteteve dhe bashkësive në Ukrainë".

"Veçanërisht, fola për sulmin masiv me raketa dhe dronë ndaj Kievit i cili mori jetën e 23 personave, duke përfshirë dhe katër fëmijë. Fatkeqësisht, Rusia nuk po arrin të plotësojë asgjë që është e nevojshme për t'i dhënë fund luftës dhe qartë po i zvarrit armiqësitë. Ukraina mbështet vendosmërinë e fortë të presidentit Tramp, si dhe të të gjithë partnerëve, për të arritur paqe të qëndrueshme sa më shpejt të jetë e mundur. Ukraina mirëpret të gjitha inciativat paqësore të ngritura nga SHBA. Por, fatkeqësisht, secila prej tyre është penguar nga Rusia", shkroi Jermak.

Zelenski më herët sot deklaroi se pas sulmit masiv rus në Kiev natën e 28 gushtit, 23 persona u vranë, 53 u plagosën, ndërsa fati i tetë personave është ende i panjohur. rq/

Foto: Jermak në Iks

QËNDRONI TË LIDHUR