• e hënë, 23 dhjetor 2024

Jerevan: Më shumë se 84,000 njerëz u shpërngulën në Armeni nga Nagorno-Karabahu

Jerevan: Më shumë se 84,000 njerëz u shpërngulën në Armeni nga Nagorno-Karabahu

Jerevan, 29 shtator 2023 (MIA) - Më shumë se 84.000 njerëz e braktisën Nagorno Karabahun dhe deri në mëngjes mbërritën në Armeni, kumtoi qeveria armene.

"Deri  në orën 6 të mëngjesit, në Armeni kanë hyrë gjithsej 84.770 persona shpërngulës nga Nagorno Karabahu", thuhet në kumtesën e shërbimit qeveritar.

Kryeministri armen Nikoll Pashinjan beson se për disa ditë në Nagorno Karabah nuk do të ketë armenë.

"Analizat tregojnë se në ditët në vijim nuk do të ketë armenë në Nagorno Karabah. Ky është një akt direkt i spastrimit etnik dhe deportimit, për të cilin ne kemi paralajmëruar komunitetin ndërkombëtar për një kohë të gjatë", tha Pashinjan në seancën qeveritare.

Ministria e Punëve të Jashtme e Azerbejxhanit i hodhi poshtë akuzat e Pashinjanit se autoritetet e Azerbejxhanit kryejnë spastrim etnik në Nagorno Karabah.

"E hedhim poshtë deklaratën e kryeministrit armen Nikoll Pashinjan se banorët armen nga rajoni i Karabahut në Azerbejxhan gjoja janë nënshtruar në spastrim etnik", citohet në kumtesë.

Presidenti i Republikës së vetëshpallur të Nagorno Karabahut, Samvel Shahramanjan nënshkroi një dekret për shpërbërjen e të gjitha institucioneve nga 1 janari i vitit të ardhshëm, njoftuan autoritetet  e rajonit me shumicë armene. Ajo republikë e vetëshpallur do të pushojë së ekzistuari që nga ajo datë, citohet në dekret.

Popullata e Nagorno-Karabahut, duke përfshirë edhe ata jashtë kufijve të tij, ftohen të njihen me kushtet e riintegrimit që do të ofrohen nga Azerbajxhani, në mënyrë që të vendosin në mënyrë të pavarur për mundësinë e qëndrimit në rajon në të ardhmen. Rregullorja ka hyrë në fuqi menjëherë pas publikimit.

Më 19 shtator, Azerbajxhani nisi një operacion ushtarak në Nagorno-Karabah, duke e quajtur atë "masa antiterroriste të natyrës lokale" për të rivendosur rendin kushtetues në rajon. Jerevani i cilësoi këto veprime si agresion, duke thënë se nuk ka njësi armene në Nagorno Karabah.

Një ditë më vonë, me ndërmjetësimin e forcave paqeruajtëse ruse, u arrit marrëveshja për armëpushim dhe ndër kushtet e armëpushimit ishte theksuar edhe çarmatimi i formacioneve armene. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR