Jelen: Uashingtoni po përgatit sanksione të reja kundër Rusisë
- - Uashingtoni do të shpallë një grup të ri sanksionesh kundër Rusisë javën e ardhshme duke synuar ndërmjetësit në vendet e treta që furnizojnë Rusinë me pjesë të nevojshme për ushtrinë e saj, njoftoi sot ministrja e Financave të SHBA-së, Xhenet Jelen.
- Post By Fami Bajrami
- 19:59, 22 tetor, 2024
Uashington, 22 tetor 2024 (MIA) - Uashingtoni do të shpallë një grup të ri sanksionesh kundër Rusisë javën e ardhshme duke synuar ndërmjetësit në vendet e treta që furnizojnë Rusinë me pjesë të nevojshme për ushtrinë e saj, njoftoi sot ministrja e Financave të SHBA-së, Xhenet Jelen.
"Që në fillim të javës së ardhshme do të vendosim sanksione të reja të ashpra të cilat synojnë ata që lehtësojnë makinën e luftës së Kremlinit, veçanërisht kundër ndërmjetësve në vendet e treta që furnizojnë Rusinë me pjesë të nevojshme për ushtrinë e saj", tha ministrja në Qeverinë e Xho Bajden në një konferencë për shtyp e organizuar gjatë takimeve vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në Uashington.
Ajo theksoi se SHBA-ja do të vazhdojë të luftojë kundër shmangies së sanksioneve ruse.
Nga fillimi i pushtimit rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, SHBA-ja dhe aleatët e saj kanë vendosur raunde të shumta sanksionesh ndaj Rusisë, të cilat përfshijnë individë, kompani dhe subjekte të tjera.
"Ne gjithashtu do të punojmë pa u lodhur për të çliruar vlerën ekonomike të mjeteve sovrane të ngrira ruse nën juridiksionin tonë për të mbështetur Ukrainën", shtoi Jelen. rq/
Foto: EPA