• e diel, 22 dhjetor 2024

Jelen i bëri thirrje Kinës të kthehet në reformat e tregut

Jelen i bëri thirrje Kinës të kthehet në reformat e tregut

Pekin, 7 korrik 2023 (MIA) - Ministrja amerikane e Financave Xhenet Jelen e filloi vizitën e saj katërditore në Kinë me thirrje për autoritetet në vend të kthehen në rrugën e reformave të tregut, njëkohësisht duke paralajmëruar se SHBA dhe partnerët e tyre do të ndërmarrin masa kundër "praktikave tregtare jokorrekte" që i përdor Kina, njoftuan agjencitë e huaja.

Jelen ka folur gjatë mbledhjes me përfaqësues të kompanive amerikane që punojnë në Kinë dhe pas takimit të mëngjesit me Liu He, një bashkëpunëtor i afërt i presidentit kinez Si Xhinping, i cili kohët e fundit vendosi drejtimin e zhvillimit ekonomik të Kinës. Jelen do të takohet sot edhe me kryeministrin Li Kiang.

Ministrja amerikane e Financave tha se erdhi në Kinë për të thelluar punën për të arritur "marrëdhënie të qëndrueshme dhe konstruktive" midis dy vendeve, por e bëri të qartë se Uashingtoni do të vazhdojë të mbrojë interesat e tij kombëtare dhe të drejtat e njeriut.

Ajo theksoi se SHBA nuk kërkon "ndarje të plotë të dy ekonomive”, por në të njëjtën kohë shprehu shqetësim për zgjerimin e subvencioneve për ndërmarrjet shtetërore dhe vendosjen e barrierave për kompanitë e huaja në vend.

Ajo i bëri thirrje Kinës që të kthehet në rrugën e praktikave të orientuara drejt tregut, falë të cilave ka arritur rritje të fortë ekonomike në vitet e mëparshme.

"Kthimi i reformave të tregut është në interes të Kinës. Qasja e tregut e hapi derën për rritje të shpejtë të Kinës dhe ndihmoi miliona njerëz të dalin nga varfëria. Është një histori e jashtëzakonshme suksesi ekonomik", tha Jelen. sa/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR