• e martë, 24 dhjetor 2024

Japonia për herë të parë paralajmëron për rrezikun e shtuar të "megatërmetit"

Japonia për herë të parë paralajmëron për rrezikun e shtuar të

Tokio, 9 gusht 2024 (MIA)- Japonia për herë të parë ka lëshuar paralajmërim për rrezik të shtuar të një tërmeti të fuqishëm në të ardhmen e afërt.

Paralajmërimi është lëshuar mbrëmë duke u bërë thirrje njerëzve të jenë të kujdesshëm, por të mos evakuohen. Poashtu është theksuar se paralajmërimi nuk do të thotë se është i pashmangshëm një tërmet i madh, por se ka më shumë gjasa që të ndodhë.

Paralajmërimi vjen vetëm disa orë pasi një tërmet me magnitudë 7.1 ballë të shkallës së Rihterit goditi ishullin jugor Kjushu, por nuk ka shkaktuar dëme të mëdha.

Por ekspertët janë në gatishmëri të lartë për shkak të lokacionit të epiqendrës, buzë Nankait, një zonë e aktivitetit sizmik që shtrihet përgjatë bregut japonez të Oqeanit paqësor.

Tërmetet e mëparshme nga Nankai kanë lënë mijëra të vdekur. Këta "megatërmete" ndodhin çdo 90 deri në 200 vjet, i fundit ndodhi në vitin 1946.

Ekspertët thonë se ka gjasa prej 70 deri në 80 për qind për një tërmet me magnitudë 8 ose 9 ballë sipas shkallës së Rihterit diku përgjatë 30 viteve të ardhshme, raportojnë mediat japoneze.

Vlerësimet e rasteve më të këqija tregojnë se më shumë se 200.000 njerëz mund të vdesin nga tërmeti dhe cunami i mundshëm që do të pasonte.

Ky paralajmërim do të vlejë për një javë.

QËNDRONI TË LIDHUR