• e enjte, 10 tetor 2024

Izraelitët dolën në rrugë në të gjithë vendin duke kërkuar një marrëveshje për pengjet dhe zgjedhje të reja

Izraelitët dolën në rrugë në të gjithë vendin duke kërkuar një marrëveshje për pengjet dhe zgjedhje të reja

Tel Aviv, 18 gusht 2024 (MIA) - Pas përfundimit të një raundi tjetër negociatash për marrëveshjen e armëpushimit në Gaza, mijëra njerëz në Izrael mbrëmë dolën sërish në rrugë për të demonstruar në mbështetje të lidhjes të marrëveshjes për lirimin e pengjeve, njoftoi DPA.

Në një nga mitingjet, nëna e një pengu të mbajtur nga grupi palestinez Hamas i bëri thirrje udhëheqjes së forcave izraelite të sigurisë që të parandalojnë kryeministrin Benjamin Netanjahu nga sabotimi i marrëveshjes, raportoi gazeta izraelite Aarec.

Vendet ndërmjetësuese Katari, Egjipti dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpresojnë se marrëveshja do të çojë në një armëpushim dhe lirimin e pengjeve që ende mbahen në Rripin e Gazës.

Protestat u zhvilluan në metropolin bregdetar të Tel Avivit, në Haifa dhe shumë vende të tjera në vend.

Shumë nga protestuesit akuzojnë Netanjahun për sabotim të marrëveshjes dhe përkulje ndaj kërkesave të partnerëve të tij ultra-fetarë dhe të koalicionit të ekstremit të djathtë, kumtoi DPA. Partnerët kundërshtojnë çdo lëshim ndaj Hamasit dhe Netanjahu varet prej tyre për mbijetesën e tij politike.

Demonstrantët kërkuan sërish dorëheqjen e qeverisë dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Në rast të zgjedhjeve të reja, Netanjahu mund të humbasë postin e kryeministrit, komentoi DPA. Kjo, nga ana tjetër, do të përshpejtojë ndjekjen e tij për akuzat për korrupsion. sa/

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR